
Komuna e Vushtrrisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë aktualisht në këtë qytet, ndërsa paralajmërimet bëjnë të ditur se mot me erëra të forta pritet të ketë edhe nesër.
Në njoftim, Komuna kërkon nga qytetarët të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes dhe qarkullimit në trafik, si dhe të shmangin qëndrimin në zona ku mund të rrezikohen nga rrëzimi i drurëve, degëve apo objekteve të tjera si pasojë e erës.
Me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe mbrojtjes së qytetarëve dhe pronës së tyre, Komuna ka publikuar disa rekomandime që duhet të ndiqen:
Të sigurojnë objektet dhe sendet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme.
Të kontrollojnë dhe sigurojnë tabelat reklamuese, skelat dhe strukturat e tjera që mund të rrëzohen nga era.
Të shmangin qëndrimin pranë drurëve, objekteve dhe strukturave të paqëndrueshme.
Të tregojnë kujdes të veçantë gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në zonat e ekspozuara ndaj erërave të forta.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u përmbahen këtyre rekomandimeve dhe të kontribuojnë në parandalimin e situatave të rrezikshme.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’u përmbahen këtyre rekomandimeve dhe të kontribuojnë në parandalimin e situatave të rrezikshme”, përfundon njoftimi.
Burimi: Insajderi