
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka shqiptuar tri gjoba ndaj operatorit ekonomik “Norwegian Px Kosovë” Sh.P.K., i njohur si rrjeti i marketeve “Maxi”.
Sipas vendimeve zyrtare të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi përmes qasjes në dokumente publike, në të tri rastet kompania është gjobitur për të njëjtën shkelje ligjore: mospërputhjen e çmimit të ekspozuar në raft me çmimin e paguar në arkën fiskale, veprim ky që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Gjobat e shqiptuara ndaj këtij rrjeti të marketeve, të cilat kapin vlerën totale prej 3,000 eurosh (nga 1,000 euro për secilin rast).
Rasti i parë -Njësia “Maxi Hipermarket 3” në Prishtinë (04.05.2026): Pas ankesës së konsumatorëve dhe inspektimit të kryer më 30 prill 2026, inspektorët kanë konstatuar se produkti “Jake Bonbon Pepermint” (14.4 gr) ishte i ekspozuar në raft me çmim prej 0.29 euro, ndërsa në arkën fiskale kalonte me çmim prej 0.49 euro. Për këtë shkelje, subjekti afarist është gjobitur me 1,000 euro.
Rasti i dytë -Njësia “Maxi Supermarket nr. 6” në Prishtinë (19.05.2026): Pas një inspektimi të bazuar në ankesën e konsumatorit më 18 maj 2026, është vërtetuar mospërputhje e çmimit te produkti banane. Ndërsa në tiketën e peshores çmimi i vendosur ishte 0.99 euro për kilogram, në arkën fiskale produkti është faturuar me çmim prej 1.49 euro. Edhe në këtë rast, kompania është dënuar me gjobë prej 1,000 eurosh.
Rasti i tretë -Njësia nr. 19 në Fushë Kosovë (25.06.2026): Gjatë vizitës inspektuese më 24 qershor 2026, pas ankesës së një konsumatori, është vërtetuar se produkti “ZOTT ZOTTIS FRUIT 115gr” ishte i ekspozuar në raft me çmim prej 0.25 euro, por në arkën fiskale ishte paguar me çmim prej 0.35 euro. Për këtë shkelje, Inspektorati i ka shqiptuar kompanisë gjobën e radhës në shumë prej 1,000 eurosh.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga kompania lidhur me këto gjoba dhe ankesat e konsumatorëve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Insajderi.org/
Burimi: Insajderi