“A e njeh Ukin ti?”: Pyetja që “theu” internetin

“A e njeh Ukin ti?”: Pyetja që “theu” internetin

Written by

in

“A e njeh Ukin ti?”: Pyetja që “theu” internetin

Shkruan: Lularta Buja

“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, është fjala e urtë popullore e cila është përdorur brez pas brezi ndër shqiptarë.

Por, pyetja “A e njeh Ukin ti?”, u bë ndër temat më të përfolura javët e fundit. E thënë në Big Brother VIP Kosova 5, ajo u shndërrua brenda një kohe të shkurtër në një nga momentet më virale në rrjetet sociale.

Një tregues se si një moment i zakonshëm mund të shndërrohet në një trend, një shprehje mund të bëhet pjesë e komunikimit të përditshëm dhe një përmbajtje mund të lidhë njerëz që ndoshta nuk kanë asgjë tjetër të përbashkët përveç interesit për të njëjtën temë.

Si bëhen gjërat virale? – Algoritmet, nga preferencat personale te trendet kolektive

Flluska algoritmike (Algorithmic Filter Bubble) është një koncept që përshkruan mënyrën se si platformat digjitale personalizojnë informacionin që u shfaqin përdoruesve, bazuar në interesat, kërkimet dhe ndërveprimet e tyre të mëparshme.

Në praktikë, kjo do të thotë se dy persona që përdorin të njëjtën platformë mund të kenë përvoja krejtësisht të ndryshme. Njëri mund të shohë përmbajtje rreth muzikës dhe argëtimit, ndërsa tjetri video për teknologjinë, sportin apo aktualitetin.

Sipas ekspertes së teknologjisë, Hana Qerimi, ky proces ndodh shpesh në mënyrë të natyrshme, përmes ndërveprimeve të përditshme të përdoruesve me platformat.

Ajo shpjegoi për klankosova.tv se mjafton të ndalemi pak më gjatë në një video apo të reagojmë ndaj një teme, që algoritmi të fillojë të na rekomandojë përmbajtje të ngjashme.

“Ne i japim sinjale algoritmit me atë që shohim, pëlqejmë dhe e shpërndajmë. Pastaj ai ndikon tek ajo që na del përpara dhe ku e çojmë vëmendjen”, u shpreh mes tjerash Qerimi.

Kjo marrëdhënie, sipas saj, është e dyanshme. Përdoruesit ndikojnë në përmbajtjet që rekomandohen, ndërsa rekomandimet e platformës mund të ndikojnë në interesat dhe temat që tërheqin vëmendjen e tyre.

Sipas Qerimit, përdoruesit luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces.

“Diçka na bën të qeshim, na prek, na habit ose na nervozon dhe na vjen të reagojmë ose ta ndajmë me dikë tjetër. Këto reagime i japin algoritmit sinjal që përmbajtja po tërheq vëmendje, dhe ai e shfaq edhe te më shumë njerëz”, shpjegoi ajo.

Në këtë mënyrë krijohet një cikël mes interesimit të publikut dhe shpërndarjes algoritmike. Sa më shumë njerëz të ndërveprojnë me një përmbajtje, aq më shumë mundësi ka që ajo të arrijë te audienca të reja.

Megjithatë, ekspertja theksoi se viraliteti nuk ka një formulë të garantuar. Përveç reagimeve të përdoruesve, ndikojnë edhe momenti, tema dhe audienca që e has fillimisht përmbajtjen.

Përtej teknologjisë, përhapja e trendeve lidhet ngushtë edhe me mënyrën se si funksionon psikologjia njerëzore.

Psikologu Kristjan Halili, për klankosova.tv shpjegoi se njerëzit janë qenie sociale dhe kanë nevojë për ndërveprim, përkatësi dhe shkëmbim përvojash.

Sipas tij, përmbajtjet virale ndikojnë në psikologjinë tonë edhe përmes fenomenit të provës sociale (social proof), ku sjellja e të tjerëve shërben si orientim për mënyrën se si reagojmë ndaj një përmbajtjeje.

“Për trurin tonë është shumë e lodhshme që të analizojmë me fakte çdo informacion që i vjen përpara. Prandaj, ai përdor një shkurtesë rruge… ‘Nëse ka kaq shumë njerëz që po bien dakord dhe po e duartrokasin këtë, atëherë ata duhet të kenë zbuluar diçka të vërtetë që unë nuk e di’… Viraliteti ndërtohet mbi emocione të forta – indinjatë, frikë, urrejtje, gëzim i papërmbajtur apo entuziazëm kolektiv. Kur një përmbajtje na prek emocionalisht, pjesa racionale e trurit (korteksi prefrontal) çaktivizohet pjesërisht dhe ne pranojmë mesazhin pa e filtruar…”, tha mes tjerash Halili.

Në një shoqëri ku komunikimi zhvillohet gjithnjë e më shumë përmes platformave digjitale, algoritmet ndikojnë edhe në mënyrën se si krijohen komunitetet dhe përvojat e përbashkëta.

Sociologia Fjolla Ibrahimi, për klankosova.tv tha se e sheh ndikimin e personalizimit digjital edhe në mënyrën se si formohen mendimet dhe perceptimet individuale.

Sipas saj, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve të caktuara mund të krijojë një ndjenjë njohjeje dhe afërsie me idetë që konsumojmë.

“…Përmes ekspozimit të vazhdueshëm dhe truri ynë i pranon këto ide si të njohura. Kjo krijon një iluzion të ‘autonomisë së mendimit’, ku ne besojmë se opinionet tona janë organike, ndërkohë që ato janë ushqyer dhe kultivuar nga personalizimi digjital…”, deklaroi Ibrahimi.

Megjithatë, dimensioni shoqëror i këtij fenomeni nuk duhet parë vetëm përmes rreziqeve të izolimit informativ.

Platformat digjitale krijojnë gjithashtu mundësi që njerëzit të zbulojnë komunitete me interesa të përbashkëta, të njihen me përvoja të ndryshme dhe të marrin pjesë në diskutime që më parë mund të mos i kishin hasur në rrethin e tyre të afërt.

“Humbja e një realiteti të përbashkët informativ shkatërron empatinë sociale dhe aftësinë për dialog. Njerëzit fillojnë ta shohin palën tjetër si ‘kërcënim’ dhe jo thjesht kundërshtar, gjë që sjell polarizim të skajshëm, ankth kolektiv dhe fragmentim të strukturës shoqërore”, tha Ibrahimi.

Pikërisht për këtë arsye, diversiteti i burimeve dhe i perspektivave mbetet i rëndësishëm.

Flluska algoritmike mund të na ndihmojë të zbulojmë përmbajtje që përputhen me interesat tona, por është po aq e rëndësishme të dalim përtej tyre dhe të njihemi me këndvështrime të tjera.

Rëndësia e platformave digjitale në jetën e përditshme konfirmohet edhe nga hulumtimet e fundit ndërkombëtare.

Raporti Digital News Report 2026, i publikuar nga “Reuters Institute for the Study of Journalism” në Universitetin e Oksfordit, tregon se rrjetet sociale dhe platformat e videove janë bërë burimi më i përdorur i lajmeve në nivel global. Sipas raportit, 77 për qind e të anketuarve konsumojnë video-lajme në internet çdo javë.

Raporti evidenton edhe rritjen e rolit të krijuesve individualë të përmbajtjeve. Rreth 46 për qind e të anketuarve globalisht marrin informacione nga krijuesit e përmbajtjeve, ndërsa 27 për qind ndjekin krijues që fokusohen posaçërisht në lajme.

Një tjetër hulumtim, i publikuar në revistën shkencore Nature më 2026, analizon mënyrën se si algoritmet e renditjes së përmbajtjeve ndikojnë në ekspozimin informativ. Studimi përfshiu 2,000 pjesëmarrës dhe zgjati tetë javë. Hulumtuesit krahasuan disa modele të ndryshme të rekomandimit të përmbajtjeve. Një nga gjetjet interesante ishte se një model alternativ i renditjes së përmbajtjeve, i cili synonte të kufizonte ndikimin e përdoruesve ekstremë, arriti të zvogëlonte ekspozimin ndaj përmbajtjeve toksike, duke ruajtur një nivel të krahasueshëm të kënaqësisë së përdoruesve me platformën.

Ky rezultat tregon se dizajnimi i algoritmeve mund të ndikojë në cilësinë e përvojës digjitale dhe se ekzistojnë mënyra për të krijuar hapësira online që ofrojnë përmbajtje më të larmishme.

Flluska algoritmike nuk është një hapësirë negative. Në një botë ku algoritmet po bëhen pjesë e pandashme e përditshmërisë, sfida nuk është të dalim nga flluska jonë digjitale, por të mësojmë ta zgjerojmë atë. /Klankosova.tv