Pretendimet për kërcënim nga rektori i UP-së, studentët thërrasin protestë

Pretendimet për kërcënim nga rektori i UP-së, studentët thërrasin protestë

Written by

in

Pretendimet për kërcënim nga rektori i UP-së, studentët thërrasin protestë

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka ftuar studentët që të marrin pjesë në një protestë për të enjten kundër një kërcënimi që ata po pretendojnë se është pranuar përmes emailit nga rektori i UP-së, Arben Hajrullahu.

Në një reagim publik, Parlamenti, duke u thirrur në atë email, thotë se “mesazhet kërcënuese” të rektorit ndaj studentëve të Fakultetit të Mjekësisë “janë të papranueshme dhe përbëjnë një tejkalim të rëndë të kufijve të komunikimit institucional”.

“Një komunikim i tillë nuk mbetet vetëm çështje e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, por ngre shqetësime më të gjera lidhur me respektimin e të drejtave studentore, lirisë së shprehjes dhe të drejtës për protestë brenda Universitetit të Prishtinës. Asnjë pozitë drejtuese nuk i jep askujt të drejtën që autoritetin institucional ta shndërrojë në mjet presioni dhe frikësimi”, thuhet mes tjerash në reagimin e Parlamentit Studentor dhe të Këshillave Studentorë, raporton Klankosova.tv.

Në reagim, këto dy organe thonë se studentët kanë të drejtë të kundërshtojnë, të protestojnë dhe të kërkojnë llogaridhënie pa u kërcënuar.

PS dhe Këshillat Studentorë të disa prej fakulteteve të UP-së kërkojnë nga Rektori të tërhiqet publikisht nga “deklaratat kërcënuese dhe të kërkojë falje ndaj studentëve”.

“Ndërsa Këshilli Drejtues duhet të marrë përgjegjësinë e vet institucionale dhe të mos qëndrojë spektator përballë një qasjeje që dëmton besimin në Universitet dhe cenon parimet mbi të cilat ai duhet të funksionojë”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, në thirrjen për protestë, Parlamenti Studentor thotë se “kërcënimet dhe format e tilla të presionit janë të papranueshme dhe cenojnë sigurinë, lirinë e shprehjes dhe mjedisin e lirë akademik që duhet të mbizotërojë në Universitetin e Prishtinës”.

Protesta, sipas njoftimit, do të mbahet të enjten para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke filluar nga ora 11:30.

Sipas studentëve, kërcënimi u pranua përmes emailit pas bojkotit të ligjëratave në Fakultetin e Mjekësisë, ku studentët dolën kundër skanimit për t’u futur në sallat e ligjëratave. /Klankosova.tv

Emaili i pranuar, sipas Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë.