Konfiskimi i aseteve të krimit ka si qëllim final përfitimin e një të mire publike nga përdorimi apo shitja përfundimtare e tyre. Shumë prej pasurive mbeten në degradim dhe zgjidhja është shitja në ankand.
Por, ajo që vihet re ndër vite është dështimi i këtyre procedurave. Arsyeja është e thjeshtë: Askush nuk guxon të blejë prona të të fortëve, pasi i tremben presioneve…
‘Problem është që duhet që agjencia të ketë më tepër kompetenca që në momentin e krijimit të një ankandi të ketë mundësi edhe të hetojë personat që marrin pjesë në ankand për të bërë të mundur shmangien e këtij fenomeni që ndonjëherë mund të jetë prezent, pra që prona nuk e humbet qëllimin e saj përfundimtar, vazhdon t’i shërbejë po atij personi që i është sekuestruar’, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Vetë AAPSK sqaron se në ankand janë shitur vetëm prona të degraduara deri sot, të cilat e kanë humbur vlerën…
‘Në kuadër të garantimit të transparencës dhe informimit të publikut, AAPSK publikon të gjitha ankandet në faqen zyrtare të institucionit. Në ankand janë nxjerrë pasuri të luajtshme të tipit skrap, naftë, dele, të cilat kanë degraduar për shkak të periudhës së gjatë që kanë qenë në konfiskim dhe eficienca më e mirë është që të kryhen procedurat e ankandit’.
AAPSK nxori në ankand 56 dele të racës franceze lakon, me vlerë fillestare 649 mijë e 600 lekë pa TVSH. Në procedurë mori pjesë vetëm kompania “BOSHNJAKU-A”, e cila u shpall fituese duke ofruar pikërisht çmimin minimal: 649 mijë e 600 lekë. Ndërsa Agjencia administron pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara me vlera të mëdha, në këtë rast aktiviteti i saj përfundon te shitja e 56 deleve, në një ankand pa konkurrencë dhe pa asnjë rritje mbi çmimin fillestar. Njoftimi tregon gjithashtu se bagëtitë ishin nxjerrë edhe dy herë më parë në ankande të dështuara, në janar dhe në mars 2025. Kjo shihet edhe si një skemë për uljen e vazhdueshme të vlerës nga njëra procedurë tek tjetra…
‘E gjitha kjo është një procedurë që çon në uljen e vlerës së asetit me qëllim që shteti të përfitojë sa më pak lekë dhe blerësi, që në 99% të rasteve janë të njëjtët persona të cilëve u është marrë prona, të paguajnë sa më pak lekë’, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Në një tjetër ankand, AAPSK ka shitur 2 mijë e 280 litra benzinë, e sekuestruar si produkt kontrabande. Vlera fillestare e ankandit ishte 103 mijë e 194 lekë të reja pa TVSH. Thënë ndryshe, 45 lekë për litër. Në procedurë mori pjesë vetëm kompania “BOSHNJAKU-A”, e njëjta që bleu edhe 56 delet në ankandin e cituar më sipër (shiten delet në ankand).
Subjekti u shpall fitues i ankandit për vlerën 106 mijë e 290 lekë të reja, vetëm 3% mbi çmimin fillestar. Thënë ndryshe, afro 46 lekë për litër, në një kohë që çmimi i benzinës në tregun e lirë përgjatë vitit 2026 ka kapërcyer mbi 200 lekë për litër. (Shitet benzina). Njoftimi tregon se ankandi ishte publikuar të paktën dy herë, në janar dhe prill 2026.
‘Ka ankande që bëhen një herë, dy herë ose tre herë nëse janë të dështuara, pra prona nuk shitet dot me vlerën e caktuar dhe vendoset të dalë sërish në ankand. Ligji parashikon që në daljen e dytë ose të tretë vlera e gjithë pronës ulet, fillimisht ulet me 20%, më pas me 50%, derisa shitet në nivel qesharak me çmimet që ka një pronë në treg, çka do të thotë që këtu kemi një humbje’, u shpreh ekspertja e ekonomisë, Gertjana Hasalla.
Një tjetër ankand rezulton për pasuritë e sekuestruara të shoqërisë “Energji–Kalivaç” në pronësi të biznesmenit italian të dënuar nga drejtësia, Francesco Bechetti (Kalivaç ankand). Fjala është për pajisje, makineri të rënda, automjete dhe impiantin e betonit në kantierin e hidrocentralit të Kalivaçit që nuk u ndërtua kurrë. Në ankandin e parë, të parashikuar për 2 shtator 2025, vlera fillestare ishte 15 milionë e 322 mijë lekë pa TVSH. Në procedurën e mëvonshme, vlera fillestare u rrit në 21 milionë e 723 mijë lekë.
Fitues u shpall “Çekrezi Metal”, me ofertë 23 milionë lekë, ose 50% më shumë se vlera e ankandit të parë. Nga katër konkurrentët, dy u skualifikuan për mangësi dokumentacioni. Procedura u ankimua dhe përfundoi vetëm pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik në shkurt 2026. Në këtë rast, pozitiv është fakti që të njëjtat pajisje u nxorën për vlerë më të lartë prej rreth 42% nga procedura e parë.
Ankandi i fundit i shpallur nga Agjencia e Administrimit është sërish për bagëti. AAPSK nxori në ankand gjashtë viça të sekuestruar në cilësinë e provës materiale, me peshë të deklaruar rreth 1 mijë e 675 kilogramë. Vlera fillestare ishte 854 mijë lekë pa TVSH. Pra, ankandet e zhvilluara janë pikërisht të këtyre niveleve. Kjo është një pasqyrë e asaj që është publikuar. Vetë Agjencia raporton 16 ankande, por refuzoi të japë më shumë detaje për blerësit apo vlerën e pasurisë.
‘AAPSK nuk zhvillon ankande online. Nga verifikimi në lidhje me ankandet e kryera rezultojnë të jenë 16 ankande. Të gjitha procedurat e shitjes në ankand zhvillohen në përputhje me Ligjin nr. 9874, datë 14.02.2008, ‘Për ankandin publik’, si dhe me VKM nr. 888, datë 14.12.2016, ‘Për miratimin e rregullave të organizimit dhe zhvillimit të ankandit publik’.
‘Në qoftë se do të ketë një transparencë të tillë, atëherë do të shikojmë edhe këto prona. Evidentohen që janë prona me vlerë më të madhe sesa këto qesharaket: skrap, gjë e gjallë, gjedh etj.’, u shpreh eksperti i ekonomisë, Pano Soko.