
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian rrezikojnë të hyjnë në një tjetër periudhë pasigurie në marrëdhëniet mes tyre.
Brukseli nuk është më i gatshëm të negociojë marrëveshje të pjesshme me Londrën, pa ditur më parë se çfarë kërkon realisht qeveria britanike nga e ardhmja e saj me BE-në.
“The Guardian” raporton se diplomatët evropianë kërkojnë një qëndrim të qartë nga kryeministri Andy Burnham: nëse Britania synon vetëm marrëdhënie më të afërta me bllokun, apo po shqyrton edhe mundësinë e rikthimit në Bashkimin Evropian, transmeton Klankosova.tv.
Kjo çështje pritet të diskutohet në samitin e së premtes në Bruksel. Palët po përpiqen të finalizojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi, që përfshin tregtinë, bujqësinë, energjinë, lëvizjen e të rinjve dhe sigurinë.
Por negociatat kanë hasur në pengesa. Një prej mosmarrëveshjeve kryesore lidhet me kërkesën e Brukselit që Britania të përafrojë politikat e saj tregtare me ato të BE-së, përfshirë masat ndaj automjeteve elektrike kineze.
Ndërkohë, çështja e tarifave universitare për studentët evropianë në Britani është lënë për diskutime të mëvonshme.
Por përpara se të vendosë për drejtimin që do të ndjekë, qeveria britanike po shqyrton mundësinë e një debati kombëtar gjatë vitit 2027, ku qytetarët dhe institucionet vendore të diskutojnë alternativat.
Në tryezë janë katër skenarë: ruajtja e marrëdhënieve aktuale, një bashkim doganor, rikthimi në tregun e përbashkët evropian ose anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.