
Një zhvillim i ri ka dalë nga hetimet për grabitjen e armatosur të argjendarisë “Balt Simon” në Gjakovë, ku një person mbeti i plagosur teksa tentonte t’ia merrte armën njërit prej grabitësve. Policia ka arritur të gjejë armën e gjatë që dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes, të fshehur në një shtëpi të pabanuar, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arma është gjetur më 18 nëntor, pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me njërin prej dy të dyshuarve të arrestuar.
Bëhet fjalë për një armë të gjatë gjysmëautomatike të kalibrit 7.62×39 mm, së bashku me një karikator me 12 fishekë të të njëjtit kalibër.
Arma dyshohet se është përdorur gjatë grabitjes së 16 nëntorit në argjendarinë “Balt Simon”, në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë.
Atë pasdite, rreth orës 17:00, dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin hyrë në argjendari, ku ndodheshin pronarët dhe persona të tjerë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, njëri prej grabitësve mbante një armë të gjatë, ndërsa tjetri ishte i pajisur me çekan.
Ata dyshohet se kishin kërcënuar personat brenda lokalit, ndërsa njëri kishte thyer xhamin ku ishte ekspozuar ari dhe kishte marrë një sasi të tij.
Por grabitja mori një kthesë dramatike kur njëri prej personave që ndodheshin brenda argjendarisë tentoi t’ia merrte armën e gjatë grabitësit.
Gjatë përleshjes, personi i dyshuar kishte shtënë me armë, duke e plagosur në këmbë personin që kishte ndërhyrë.
Sipas deklarimeve të viktimave, vlera e arit të marrë dyshohet të jetë mbi 10 mijë euro.
Pas grabitjes, Policia nisi hetimet për identifikimin e autorëve.
Më 17 nëntor, hetuesit fillimisht identifikuan veturën e dyshuar dhe më pas njërin prej personave që dyshohet se ishte përfshirë në grabitje.
Rreth orës 06:00, gjatë një bastisjeje, i dyshuari u arrestua në dhomën e tij të gjumit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Arbenit Ukaj, rreth 24 vjeç, dhe Lirim Istrefaj, rreth 34 vjeç.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit të parë, Policia kishte sekuestruar një pistoletë të tipit TT, një karikator dhe shtatë fishekë, si dhe para të gatshme, një sasi ari, dy telefona dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Po ashtu, ishte sekuestruar edhe një veturë Golf VII, me ngjyrë të bardhë, dhe një sasi e vogël substance e dyshuar marihuanë.
Pas arrestimit, i dyshuari i parë kishte deklaruar se gjatë ngjarjes kishte qenë së bashku me një person tjetër, duke çuar në identifikimin dhe kontrollin e banesës së të dyshuarit të dytë.
Në atë kontroll janë sekuestruar një telefon dhe veshmbathje që dyshohet se lidhen me rastin.
Një ditë pas arrestimeve, hetimet çuan edhe te arma e gjatë e dyshuar e grabitjes.
Më 18 nëntor, në bashkëpunim me të dyshuarin e parë dhe pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Policia arriti ta gjente armën në një shtëpi të pabanuar.
Gjetja e saj përbën një zhvillim të rëndësishëm për hetimet, ndërsa mbetet të përcaktohet përmes ekzaminimeve përkatëse nëse bëhet fjalë për armën me të cilën është plagosur viktima.
Dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Ata dyshohen edhe për grabitjen tjetër të armatosur të ndodhur më 5 nëntor në argjendarinë “XHINTONGOLD” në Gjakovë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali