
Një vrasje e rëndë në Suharekë, një grabitje e armatosur në Gjakovë, raste të narkotikëve, kërcënime dhe arrestime kanë shënuar zhvillimet e fundit të kronikës së zezë në vend.
Në Suharekë, një 60-vjeçar dyshohet se vrau një person pas një mosmarrëveshjeje për parking, ndërsa në Gjakovë hetimet për grabitjen e argjendarisë kanë sjellë edhe gjetjen e armës së gjatë që dyshohet se u përdor gjatë sulmit. Ndërkohë, në Podujevë një i mitur u kap duke i shitur marihuanë një 13-vjeçari, ndërsa në Prishtinë një grua raportoi kërcënime nga ish-bashkëshorti.
Këto janë rastet kryesore të raportuara nga Gazeta Sinjali:
Suharekë – Konflikti për parking përfundon me vrasje, arrestohet 60-vjeçari
Një person ka mbetur i vrarë pas të shtënave me armë zjarri në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje të çastit, ku i dyshuari Rrahman Hoti, 60-vjeçar, dyshohet se ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës Sylë Dakaj.
Sipas informacioneve të Sinjalit, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës. I plagosuri fillimisht u dërgua në Emergjencë në gjendje të rëndë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Pas të shtënave, Hoti ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte hasur nga Policia në komunikacion. Pas ndjekjes, ai kishte hyrë me veturë në oborrin e një shtëpie në afërsi të Samadraxhës, por u arrestua nga zyrtarët policorë, të cilët e nxorën nga vetura.
Gjatë arrestimit, nga trupi i tij u sekuestrua një pistoletë e llojit Sig Sauer, që dyshohet se është përdorur në vrasje.
Sinjali mësoi ekskluzivisht se Hoti kishte vuajtur disa vite burg në Zvicër për vrasjen e bashkëshortes së tij, para se të dëbohej nga ky shtet.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afatit ligjor pritet të paraqitet kërkesa për paraburgim, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.
GJAKOVË – Gjendet arma e grabitjes së argjendarisë, dy të dyshuarit në ndalim
Policia ka gjetur armën e gjatë që dyshohet se u përdor gjatë grabitjes së armatosur në argjendarinë “Balt Simon” në Gjakovë, ku një person mbeti i plagosur. Arma gjysmëautomatike e kalibrit 7.62×39 mm, bashkë me karikatorin dhe 12 fishekë, u gjet më 18 nëntor në një shtëpi të pabanuar.
Për rastin janë arrestuar Arbenit Ukaj, rreth 24-vjeçar, dhe Lirim Istrefaj, rreth 34-vjeçar. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar edhe një pistoletë TT, para të gatshme, ari, telefona, veshmbathje dhe një veturë Golf VII.
Grabitja kishte ndodhur më 16 nëntor, kur dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin marrë ari me vlerë të dyshuar mbi 10 mijë euro. Gjatë përleshjes, një person ishte plagosur me armë zjarri në këmbë.
Dy të arrestuarit dyshohen edhe për grabitjen e argjendarisë “XHINTONGOLD”, më 5 nëntor. Të dy janë ndaluar për 48 orë.
Prishtinë – Arrestohet 27-vjeçarja e kërkuar për vjedhje
Anita Alia, rreth 27-vjeçare, është arrestuar nga Policia në Prishtinë, pasi ndaj saj kishte urdhërarrest aktiv të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, për veprën penale “Vjedhja”.
Ajo është arrestuar më 18 nëntor, rreth orës 06:00, dhe me urdhër të gjyqtares kompetente është dërguar në ndalim për 48 orë.
Podujevë – I mituri dyshohet se po i shiste marihuanë një 13-vjeçari
Një i mitur është arrestuar në Parkun e Qytetit në Podujevë, pasi dyshohet se po i shiste një qese me marihuanë një fëmije 13-vjeçar. Rasti ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 11:00, kur Policia ndërhyri në momentin e dyshuar të shitjes.
Sipas burimeve të Sinjalit, i mituri e ka pranuar përfshirjen në rast.
Ndaj tij është iniciuar procedurë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa është ndaluar për procedura të mëtejshme.
Hajvali, Prishtinë – “Kam me ta ba ma zi se ai në Pejë”, gruaja denoncon ish-bashkëshortin
Një grua në Hajvali ka denoncuar ish-bashkëshortin, duke pretenduar se ai e kishte kërcënuar pas një mosmarrëveshjeje për ndihmat sociale të fëmijëve.
Sipas denoncimit, ai i kishte thënë: “Ti je hi në punë me ba me ma nal socialin e fëmijëve, kam me ta ba ma zi se ai në Pejë”.
Gruaja ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa më 18 nëntor është intervistuar edhe ish-bashkëshorti. Ndaj tij është iniciuar rast për “Dhuna në familje”, kurse i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Gjilan – Gjendet 60-vjeçari që ishte zhdukur, kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi
Shqetësimi i familjes Kastrati nga Dobërçani i Gjilanit ka marrë fund. Hazir Kastrati, 60-vjeçari që ishte larguar nga shtëpia më 15 nëntor pa telefon dhe pa dhënë lajme për vendndodhjen e tij, është kthyer në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Familjarët kishin raportuar zhdukjen në Polici më 16 nëntor, ndërsa djali i tij konfirmoi mbrëmjen e 17 nëntorit se babai ishte kthyer. Rrethanat e largimit të tij nuk janë bërë të ditura.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali