
Instagram ka prezantuar një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të modifikojnë Story-t deri në 15 minuta pas publikimit, pa humbur shikimet, pëlqimet dhe ndërveprimet e tjera të mbledhura deri në atë moment.
Përmes këtij përditësimi, përdoruesit do të mund të korrigjojnë gabimet në Story-t e publikuara, pa pasur nevojë t’i fshijnë dhe t’i ngarkojnë ato nga e para.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, përmes një postimi në këtë platformë. Sipas tij, mundësia për të redaktuar Story-t pas publikimit ishte një prej veçorive më të kërkuara nga përdoruesit.
Funksioni do të jetë në dispozicion për të gjithë përdoruesit, por aktivizimi i tij do të bëhet gradualisht. Për këtë arsye, jo të gjitha llogaritë do ta kenë menjëherë mundësinë për të bërë ndryshime në Story-t e publikuara.
Ky përditësim pritet të jetë veçanërisht i dobishëm për krijuesit e përmbajtjes dhe markat e mëdha, për të cilët çdo shikim, pëlqim dhe ndërveprim ka rëndësi. Tashmë, ata do të mund të korrigjojnë gabimet brenda 15 minutave nga publikimi, pa rrezikuar të humbasin angazhimin e mbledhur deri atëherë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali