Bashkëthemeluesi i Starlabs dhe Shkollës Digjitale, Darsej Rizaj, ka reaguar lidhur me lansimin e lojës së shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA 6), duke u bërë thirrje prindërve që të kenë kujdes me përmbajtjen ndaj së cilës mund të ekspozohen fëmijët e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Rizaj ka theksuar se GTA 6 pritet të jetë ndër temat më të diskutuara gjatë ditëve në vijim, veçanërisht në familjet ku fëmijët përdorin konzola PlayStation.
“Besoj se tema që ka me qarkullu këto ditë, sidomos në ambiente familjare, ka me qenë loja GTA 6”, ka shkruar ai.
Sipas Rizaj, loja, për të cilën ai thotë se janë investuar deri në dy miliardë dollarë, ofron një simulim jashtëzakonisht realist të jetës në një qytet virtual.
Ai ka paralajmëruar se loja nuk është e përshtatshme për fëmijët e vegjël, duke iu referuar klasifikimit të saj për moshat 17 vjeç e lart.
“Kam parë klipe horror që ndodhin në lojë e që po raportohen. Mos u mashtroni me termin se është vetëm një ‘lojë’”, ka shkruar Riza.
Ai ka shtuar se GTA 6 përmban tema të shumta ndaj të cilave prindërit mund të mos dëshirojnë që fëmijët e tyre të ekspozohen.
Duke kujtuar përvojën e tij me versionet e mëparshme të GTA, Rizaj ka theksuar se niveli i realizmit në lojën e re është shumë më i lartë.
“Ne vetë si fëmijë e kemi luajtur GTA përpara, por nuk e ka pasur këtë nivel të realizmit. Kjo është tjetër nivel!”, ka përfunduar ai.
Reagimi i tij vjen në kohën kur GTA 6 po tërheq vëmendje të madhe në mbarë botën, ndërsa Rizaj u bën thirrje prindërve të informohen për përmbajtjen e lojës përpara se t’ua lejojnë fëmijëve. /Telegrafi/