“Nga Kosova në botë” – Mentor Pllana shpalos vizionin e “World Link Tower” për bizneset kosovare

“Nga Kosova në botë” – Mentor Pllana shpalos vizionin e “World Link Tower” për bizneset kosovare

Written by

in

World Link Tower synon të jetë më shumë sesa një objekt biznesi në Kosovë.

Projekti, i prezantuar nga Mentor Pllana, CEO i Pllana Ventures, ka për qëllim lidhjen e bizneseve kosovare me tregjet ndërkombëtare. World Link Towers, InstaBuilt dhe BP Home Investment janë kompani të veçanta në kuadër të grupit Pllana Ventures.

Përmes World Link Towers synohet krijimi i një ekosistemi global biznesesh, ndërsa InstaBuilt, me sistemin e certifikuar të ndërtimit në dy kontinente, synon transformimin e ndërtimtarisë në industri prodhuese, kalimin drejt materialeve ekologjike dhe prodhimit në fabrika me përfshirjen e të dy gjinive. Të dy projektet bashkohen në një vizion: “Nga Kosova nëpër botë është e mundshme”.

Sipas Pllanës, ideja që qëndron pas World Link Tower është ndërtimi i një infrastrukture që do t’u shërbejë kompanive kosovare për të zgjeruar aktivitetin e tyre përtej tregut vendor, duke shfrytëzuar përvojën dhe rrjetin ndërkombëtar të krijuar ndër vite nga InstaBuilt.

“World Link Tower, edhe vetë emri, nënkupton lidhjen me botën, apo ‘Your Link to World’ – lidhja juaj me botën. Qëllimi ynë ka qenë që, pas 26 vitesh veprimtari të suksesshme në tregun e Kosovës dhe realizimit të projekteve në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë, Francë dhe Amerikën e Veriut, të ndërtojmë një infrastrukturë që këtë sukses dhe këtë platformë t’ua ofrojmë edhe kompanive të Kosovës”, ka deklaruar Pllana, shkruan Telegrafi.

Ai ka theksuar se World Link Tower nuk duhet të shihet vetëm si një investim në patundshmëri, por si një ekosistem bashkëpunimi, në të cilin bizneset mund të mësojnë nga modelet e suksesshme dhe të krijojnë mundësi të reja zhvillimi.

“Qëllimi i World Link Tower nuk është të jetë një objekt më shumë. Është një objekt ku ne mendojmë se, siç thotë shprehja shqipe, ‘ e sheh rrushi rrushin e piqet’. Duam t’u japim kompanive të Kosovës modelin tonë dhe modelin e kompanive të suksesshme, për të dëshmuar se edhe nga Kosova është e mundshme”, është shprehur ai.

Nga Kosova në tregjet ndërkombëtare

Pllana ka treguar se projekti tashmë ka mbledhur mbi një mijë punëtorë të sektorit të teknologjisë, ndërsa synimi kryesor mbetet krijimi i kushteve që kompanitë të operojnë nga Kosova dhe t’u ofrojnë shërbime e produkte tregjeve ndërkombëtare.

“Vizioni i World Link Tower është i thjeshtë, prej Kosovës nëpër botë është e mundshme. Edhe misioni është shumë i thjeshtë: bashkëpunim, inovacion dhe globalizim”, ka theksuar Pllana.

Në kuadër të këtij vizioni, ai ka përmendur edhe organizimin e ngjarjes “Green Finance Day”, e cila kishte për qëllim bashkimin e partnerëve, blerësve, bankave dhe drejtuesve të kompanive.

Sipas tij, në këtë organizim morën pjesë mbi 170 persona, përfshirë më shumë se 50 drejtues ekzekutivë, të cilët u njohën me vizionin dhe mundësitë që ofron World Link Tower.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektit, sipas Pllanës, është efikasiteti energjetik. Ai ka deklaruar se objekti është projektuar sipas konceptit të ndërtimit të gjelbër, me efikasitet energjetik 69 për qind më të mirë krahasuar me objektet e ndërtuara në Kosovë.

Vizioni për zgjerimin në Berlin dhe Teksas

Ambiciet e InstaBuilt për World Link Tower nuk kufizohen vetëm në Kosovë.

Pllana ka bërë të ditur se kompania synon ta zhvillojë këtë koncept edhe në Berlin të Gjermanisë dhe në Austin të Teksasit, me qëllim krijimin e një ekosistemi ndërkombëtar ku kompanitë dhe partnerët nga Kosova, Evropa dhe Amerika mund të bashkëpunojnë.

“Ideja jonë është që World Link Tower të mos ndërtohet vetëm në Kosovë, por edhe në Berlin dhe Austin, Teksas, në mënyrë që kompanitë e Kosovës, partnerët e Evropës dhe partnerët e Amerikës të operojnë në një ekosistem dhe t’ia ofrojmë botës ofertën që ekziston nga Kosova”, ka deklaruar ai, shkruan Telegrafi.

Në këtë drejtim, Pllana e sheh diasporën si një pjesë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe të zgjerimit ndërkombëtar të bizneseve.

Ai ka përmendur shembuj të kompanive të lidhura me diasporën që operojnë në Kosovë dhe në tregje të tjera, si dhe kompaninë Frutex, e cila prodhon në Suharekë dhe eksporton në 30 shtete të botës.

Sipas tij, World Link Tower synon t’u ofrojë bizneseve një platformë me infrastrukturë dhe prani ligjore e tatimore në disa tregje, duke krijuar mundësi që kompanitë të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Kosovë dhe të konkurrojnë ndërkombëtarisht.

Bashkëpunimi mes akademisë, industrisë dhe shtetit është çelësi

Duke folur për perspektivën ekonomike të Kosovës, Pllana është shprehur optimist për vitet e ardhshme, veçanërisht për periudhën 2027-2030, të cilën e sheh si mundësi për zhvillimin e infrastrukturës dhe të bizneseve.

Ai u ka bërë thirrje investitorëve nga diaspora që të investojnë në Kosovë dhe prej këtu të zhvillojnë bizneset e tyre në tregjet botërore.

“Bizneset dhe investitorët nga diaspora duhet të vijnë në Kosovë, ta ndërtojnë biznesin në Kosovë dhe prej Kosovës të dalin nëpër botë. Bizneset që janë në Kosovë duhet të punojnë fuqishëm dhe të ndërtojnë ide, sepse është e mundshme prej Kosovës nëpër botë”, ka thënë ai.

Për realizimin e këtij vizioni, Pllana konsideron të domosdoshëm bashkëpunimin ndërmjet tri shtyllave kryesore: institucioneve shtetërore, bizneseve dhe akademisë.

“Krejt çfarë na duhet është bashkëpunimi mes akademisë, industrisë dhe shtetit. Shteti i bën punët e veta, bizneset i bëjnë punët e veta dhe akademia, studentët, e bëjnë punën e tyre të studimit. Këto të tria duhet të bëhen bashkë dhe të dalim nëpër botë”, ka përfunduar Pllana.

Sipas tij, InstaBuilt synon ta përfundojë projektin World Link Tower deri në fund të vitit 2027, ndërsa objekti pritet të jetë plotësisht funksional në fund të vitit 2028. /Telegrafi/.