Kosova ka gjithsej 191 asete të ndërmarrjeve shoqërore jashtë territorit të saj, të shpërndara në gjashtë shtete të rajonit që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë. Nga këto, 22 asete i përkasin ndërmarrjes Trepça, ndërsa numri më i madh i pasurive ndodhet në Serbi dhe Mal të Zi, shkruan Telegrafi.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), këto asete vazhdojnë të mbeten të pashitura, ndërsa mungesa e dokumentacionit dhe pengesat juridike e kadastrale kanë vështirësuar procesin e shitjes së tyre.
AKP-ja paralajmëron se ekziston rreziku që këto pasuri të kalojnë në pronësi të palëve të treta, bazuar në vendimet e gjykatave të shteteve ku ndodhen.
“Si pasojë, ekziston rreziku që këto asete të barten në pronësi të palëve të treta, bazuar në vendimet e gjykatave të shteteve ku ndodhen asetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP-së, për Telegrafin.
Nga gjithsej 191 asete, numri më i madh ndodhet në Serbi, me 115 asete, pasuar nga Mali i Zi me 40, Bosnja dhe Hercegovina me 20, Kroacia me tetë, Maqedonia e Veriut me shtatë dhe Sllovenia me një aset.
Asetet e pashitura jashtë Kosovës, sipas AKP-së:
Në këtë numër përfshihen edhe 22 asete të ndërmarrjes Trepça, prej të cilave 11 ndodhen në Serbi, pesë në Mal të Zi, tri në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe tri në Kroaci.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nga gjithsej 191 asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që ndodhen jashtë territorit të saj, numri më i madh është në Serbi, me 115 asete, pasuar nga Mali i Zi me 40 dhe Bosnja dhe Hercegovina me 20 asete.
Foto: Realizuar me IA
Ndërkohë, në Kroaci ndodhen tetë asete, në Maqedoninë e Veriut shtatë dhe në Slloveni një aset.
Në total, 191 asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës mbeten të pashitura në këto gjashtë shtete të rajonit, sipas të dhënave të AKP-së.
Sipas të dhënave të AKP-së, deri në vitin 2025, mungesa e të dhënave të mjaftueshme dhe e dokumentacionit përkatës ka pamundësuar shitjen e këtyre aseteve përmes procedurave të përcaktuara me ligjin e Agjencisë.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 janë bërë përpjekje për ritenderimin e aseteve në Mal të Zi, por procesi është përballur me pengesa në evidencat e Agjencisë Kadastrale të këtij shteti.
AKP-ja ka bërë të ditur se këto pengesa janë mënjanuar në fund të vitit 2025, ndërsa ishte parashikuar që gjatë vitit 2026 të tenderoheshin asetet e ndërmarrjeve shoqërore në Mal të Zi.
Megjithatë, në dokumentacionin e paraqitur nuk jepen të dhëna nëse këto procedura kanë përfunduar apo nëse është realizuar ndonjë shitje.
Rasti i Kamenovës në Mal të Zi
Një nga rastet më të njohura të kontesteve pronësore të Kosovës jashtë territorit të saj është ai i kompleksit turistik Kamenova, pranë Budvës, në Mal të Zi.
Vazhdon “lufta” e Kosovës për kthimin e Kamenovës në Mal të Zi – çfarë dihet deri më tani? Foto: Telegrafi
Bëhet fjalë për ish-pushimoren e punëtorëve të Kosovës, me sipërfaqe prej rreth 33 mijë metrash katrorë, për të cilën Agjencia Kosovare e Privatizimit prej vitesh zhvillon procedura juridike për njohjen e të drejtave pronësore.
Telegrafi ka raportuar ekskluzibisht për këtë kontest, përfshirë historikun e kompleksit, përpjekjet juridike të AKP-së dhe gjendjen e rëndë të objekteve, të cilat sot janë kryesisht të braktisura dhe të dëmtuara.
Rasti i Kamenovës dëshmon vështirësitë me të cilat përballen institucionet e Kosovës në mbrojtjen e pasurive të ndërmarrjeve shoqërore jashtë vendit, ndërsa statusi përfundimtar pronësor i këtij kompleksi vazhdon të jetë objekt kontesti juridik. /Telegrafi/.