
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike në vend gjatë ditëve të fundit.
Tahiri tha se mungesa e rrymës po ua vështirëson jetën qytetarëve të Kosovës dhe po i detyron familjet e varfra të hyjnë në borxhe për t’i mbuluar faturat, transmeton Klankosova.tv.
“Mungesa e energjisë elektrike me orë të tëra, kryesisht në lokacione dhe vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytet, në Prishtinë, si dhe në qytete të tjera, realisht është duke e vështirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës në maksimum, duke i detyruar familjet e varfra që të hyjnë edhe në borxhe për të mundur ta paguajnë çmimin e energjisë elektrike”, tha ai.
Tahiri kërkoi nga Qeveria që ta ndryshojë strategjinë për investimet në sektorin e energjisë, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe zhvillimet globale.
“Kërkoj nga kryeministri që urgjentisht të nominojë një ekip qeveritar që e ndryshon planin për investime energjetike, për shkak se ju vetë po thoni se bota ka ndryshuar, po thoni që çmimet janë problem global, jo lokal”, u shpreh ai.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shfrytëzojë pasurinë nëntokësore të Kosovës dhe të investojë në rinovimin e termocentraleve.
“Andaj, kërkesa jonë, zoti kryeministër, është të ndërtojmë një rast të quajtur ‘The Case of Kosova’, që do të ishte ‘The Case of Kosova 2027-2037’, për t’i kthyer burimet dhe për t’i përdorur kapacitetet që vetë i ke përmendur në fushatë. Kosova është në terr, sepse me të vërtetë kemi probleme globale. Po e pranojmë se Ngushtica e Hormuzit, energjia, nafta dhe të gjitha këto janë probleme thelbësore”, shtoi ai. /Klankosova.tv