
Tre persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se kanë kryer së paku tetë vjedhje të rënda nëpër banesa, gjatë muajve tetor dhe nëntor të këtij viti. Dëmi i shkaktuar nga këto vjedhje vlerësohet të jetë mbi 60 mijë euro, ndërsa gjatë operacionit policor janë sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë dhe prova të tjera.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimet janë realizuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë, pas një hetimi dymujor. Operacioni, i zhvilluar më 18 nëntor, ka rezultuar me arrestimin e tre shtetasve kosovarë me inicialet A.B., F.H. dhe M.K.
Sipas njoftimit policor, të dyshuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë, ndërsa dëmi material përfshin para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.
Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona mobilë dhe një sasi të substancës së dyshuar si marihuanë.
Hetimet e mëtejme kanë çuar policinë edhe te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor. Ndërkaq, në Prizren është lokalizuar dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër ari.
Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali