Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, janë përplasur në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Pejë, ku zjarri dhe ndotja kanë shkaktuar shqetësime te banorët.
Gjatë diskutimit, Pacolli tha se shqetësimi për gjendjen në deponi është i drejtë, por theksoi se përgjegjësia kryesore për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj i takon Komunës së Pejës.
“Deponia është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të Komunës së Pejës dhe për aq kohë që kjo deponi mbetet nën administrimin komunal, përgjegjësia primare për mirëmbajtje dhe keqmenaxhim bie mbi Komunën e Pejës. As ministria as kompania nuk kanë kompetenca. Jemi në kontakt me kompaninë”, deklaroi Pacolli.
Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti Arben Gashi, i cili tha se në këtë situatë prioritet duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, e jo përcaktimi i institucionit përgjegjës.
Gashi kërkoi ndërhyrje urgjente dhe ndarjen e një fondi emergjent për shuarjen e zjarrit, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e krijuar mund të trajtohet më vonë.
“Nuk po më intereson hiç a është e komunës, a është e qeverisë apo e kujt, me rëndësi është jeta e njerëzve. Fond emergjent, çka doni bëni, aty duhet të ndalet zjarri. Kush e ka fajin, shkoni nëpër gjykata, le të shkojë në burg kushdo që ka faj. Nuk jam duke e trajtuar politikisht, po kërkoj mbrojtjen e njerëzve”, tha Gashi.
Në përgjigjen e saj, Pacolli tha se gjendja aktuale është pasojë e keqmenaxhimit shumëvjeçar dhe se problemet e krijuara ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda një periudhe të shkurtër.
Ajo gjithashtu kritikoi Gashin për mosngritjen e këtij shqetësimi më herët, duke ia atribuuar përgjegjësinë udhëheqjes komunale të Pejës.
“Sikur ta kishe nisur këtë diskutim vite më përpara, kur ka pasur alarm se po keqmenaxhohet deponia, atëherë nuk e ke ngritur zërin. Keqmenaxhimi disavjeçar të ka sjellë këtu sot. Ne nuk mundemi me riparua brenda një periudhe të shkurtër. Komuna duhet të marrë përgjegjësi për këtë gjendje”, deklaroi Pacolli.
Ndryshe, deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës është përballur prej muajsh me zjarre dhe ndotje, duke shkaktuar shqetësime te banorët e zonës. /kp/