Federatat sportive kërkojnë pagesat e menjëhershme nga institucionet: Paralajmërojnë edhe masa të përbashkëta

Federatat sportive kërkojnë pagesat e menjëhershme nga institucionet: Paralajmërojnë edhe masa të përbashkëta

Written by

in

Shumica e federatave sportive të Kosovës kanë shprehur shqetësimin për vonesat në realizimin e financimit publik, duke kërkuar nga institucionet përmbushjen e obligimeve financiare dhe një plan konkret të pagesave brenda shtatë ditësh.

Përfaqësuesit e shumicës së federatave sportive të Republikës së Kosovës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kanë ngritur shqetësimet për gjendjen financiare të sportit të organizuar në vend.

Në deklaratën e publikuar pas takimit të mbajtur më 18 nëntor në Prishtinë, federatat kanë theksuar se gjatë këtij viti një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë pranuar këstet e parapara të financimit nga institucionet, pavarësisht obligimeve të përcaktuara në memorandumet e bashkëpunimit me ministrinë përgjegjëse për sportin.

Sipas tyre, në disa raste deri në muajin nëntor janë realizuar vetëm pagesat për tremujorin e parë, situatë që ka vështirësuar funksionimin e federatave, përmbushjen e obligimeve ndaj klubeve, sportistëve dhe trajnerëve, si dhe organizimin e garave vendore e ndërkombëtare.

Për këtë arsye, federatat kërkojnë realizimin e menjëhershëm të mjeteve të papaguara, transparencë për arsyet e vonesave, përcaktimin e një kalendari të garantuar të pagesave dhe krijimin e një mekanizmi që siguron financim të rregullt edhe në vitet e ardhshme.

Një tjetër kërkesë është organizimi i një takimi të përbashkët me Ministrinë përgjegjëse për Sportin, Agjencinë e Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve konkrete.

Federatat u kanë lënë institucioneve afat prej shtatë ditësh kalendarike nga dorëzimi i deklaratës për të dhënë përgjigje zyrtare dhe për të paraqitur një plan konkret veprimi.

Në të kundërtën, ato paralajmërojnë se do të shqyrtojnë hapa të mëtejmë të përbashkët, përfshirë edhe mundësinë e rishikimit të organizimit të aktiviteteve sportive, duke vënë në pah se pa mbështetjen e nevojshme financiare nuk mund t’i përmbushin obligimet e tyre.

Në fund, përfaqësuesit e federatave kanë theksuar se kjo deklaratë nuk është kundër institucioneve, por një thirrje për përgjegjësi dhe respektim të zotimeve ndaj sportit në Kosovë. /Telegrafi/