
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në rastin e trafikimit të 83 kilogramëve e 592 gramëve heroinë nga Turqia në Kosovë, duke dënuar tre persona me gjithsej 21 vjet burgim dhe 31 mijë euro gjobë, ndërsa dy të tjerë janë liruar nga akuza.
Lorik Tigani, Onur Vizdik dhe Ilir Mema janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili, ndërsa Muhamet Hasani dhe Shefket Demi janë liruar nga akuza për ndihmë në kryerjen e veprës penale që lidhet me narkotikët.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska, me anëtarët Avni Syla dhe Violeta Namani-Hajra.
Lorik Tigani u dënua me shtatë vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve. Ndaj tij u refuzua akuza për armëmbajtje pa leje, pasi Prokuroria kishte hequr dorë nga kjo pikë e aktakuzës.
Onur Vizdik u dënua me shtatë vjet burgim dhe 11 mijë euro gjobë, prej të cilave 10 mijë euro për veprën penale që lidhet me narkotikët dhe një mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Ilir Mema u dënua me shtatë vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Muhamet Hasani, klienti i Besnik R. Berishës, shpallet i pafajshëm
Në të njëjtin proces gjyqësor, Gjykata shpalli aktgjykim lirues ndaj Muhamet Hasanit, të mbrojtur nga avokati Besnik R. Berisha, si dhe ndaj Shefket Demit.
Hasani dhe Demi akuzoheshin nga Prokuroria Speciale se kishin ndihmuar në transportimin e lëndës narkotike nga Turqia në Kosovë përmes kompanisë “Alba Trans”.
Në fjalën përfundimtare të 16 nëntorit, avokati Besnik R. Berisha kishte kërkuar fuqishëm lirimin e klientit të tij nga akuza, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte provuar ndonjë veprim konkret që do ta lidhte Hasanin me veprën penale.
Berisha kishte deklaruar se disa lëndë nuk mbeten vetëm në fasikuj, por bëhen pjesë e ndërgjegjes së avokatit për shkak të përgjegjësisë që mbart mbrojtja e klientit.
Sipas mbrojtjes, kontakti i Hasanit me Mentor Imamin kishte qenë në kuadër të shërbimeve të zakonshme të transportit që kompania “Alba Trans” ofronte për klientët e saj.
Me aktgjykimin e shpallur, Gjykata vendosi lirimin e Hasanit dhe Demit nga akuza, si dhe kthimin e pasurisë së sekuestruar ndaj tyre.
Si u zbulua ngarkesa prej 83 kilogramëve heroinë?
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 prill 2024 nga Prokuroria Speciale, heroina me peshë prej 83 kilogramëve e 592 gramëve ishte fshehur brenda 32 reflektorëve dhe ishte transportuar nga Turqia drejt Kosovës.
Ngarkesa ishte vendosur në një kamion të kompanisë “Alba Trans”, ndërsa u zbulua më 23 shkurt 2022 gjatë kontrollit në terminalin doganor në Han të Elezit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, lënda narkotike kishte për destinacion Prishtinën dhe ishte planifikuar të shpërndahej e të shitej në treg.
Prokuroria pretendonte se Mentor Imami, i cili ndodhet në arrati, kishte organizuar veprimtarinë e grupit, përfshirë transportimin dhe gjetjen e personave për shpërndarjen e narkotikëve.
Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, sipas aktakuzës, kishin bashkëpunuar me Imamin për organizimin e transportit dhe ishin arrestuar pas pranimit të një sasie të lëndës narkotike në autostradën “Arbër Xhaferi”.
Ndërkaq, Ilir Mema akuzohej se kishte qëndruar në Stamboll së bashku me Imamin, ku dyshohej se kishin siguruar, paketuar dhe dorëzuar ngarkesën në depon e grumbullimit të mallrave.
Konfiskohen narkotikët, armët dhe mijëra euro
Përveç dënimeve me burgim dhe gjobë, Gjykata vendosi konfiskimin e lëndës narkotike dhe armëve të përshkruara në aktakuzë.
Lorik Tiganit do t’i konfiskohet edhe shuma prej 3 mijë e 793 euro e 16 centë.
Tre të dënuarit obligohen të paguajnë secili nga 300 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndërsa, për Muhamet Hasanin dhe Shefket Demin, shpenzimet e procedurës gjyqësore do të bien në barrën e gjykatës.
Në këtë rast, procedura ndaj Faik Krosës është veçuar, ndërsa Mentor Imami vazhdon të jetë në arrati.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë sipas procedurave ligjore.
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali