
Një dokument i siguruar nga Insajderi, i cili përmban listën e 95 ish-punonjësve të Telekomit të Kosovës që kanë përfituar nga skema e pagave për 24 muaj pas largimit nga puna, ngre pikëpyetje për mënyrën se si janë përzgjedhur përfituesit dhe për kriteret e përdorura nga komisioni që ka shqyrtuar kërkesat.
Në mesin e personave të përfshirë në këtë listë është edhe Burim Hana, vëllai i kryeshefes ekzekutive të Telekomit, Burbuqe Hana. Sipas dokumentit, për të është paraparë një pagesë prej 43 mijë e 680 eurosh bruto për 24 muajt pas përfundimit të marrëdhënies së punës.
Burim Hana kishte mbajtur pozitën e menaxherit për Analizë, Strategji të Marketingut dhe Planifikim, me gradë 13 dhe pagë mujore prej 1 mijë e 820 eurosh bruto. Kjo shumë është e barabartë me pagën e tij për dy vitet e ardhshme, ndonëse ai nuk do të jetë më pjesë e stafit të Telekomit.
Një tjetër emër që figuron në listë është Kastriot Haxhiu, vëllai i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ai kishte punuar si teknik në Rrjetin e Qasjes, në kuadër të Drejtorisë Teknike dhe Teknologjisë Informative. Edhe për të është miratuar përfitimi i pagave për 24 muajt pas largimit nga puna, pa pasur nevojë të paraqitet më në vendin e punës.
Dyshime për mënyrën e zbatimit të kësaj skeme ngre edhe rasti i dy ish-punonjësve të Drejtorisë së Çështjeve Korporative, pjesë e së cilës është edhe Zyra Ligjore, Gazmend Mehmeti dhe Bashkim Jupolli. Komisioni ua kishte miratuar kërkesat për largim vullnetar, duke u siguruar pagesat për 24 muajt e ardhshëm.
Megjithatë, vetëm pesë ditë pas përfundimit të marrëdhënies së tyre të punës, Telekomi shpalli konkurs për një pozitë në fushën ligjore. Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, dy punonjësit e përmendur e kishin përfunduar punën më 31 tetor 2026, ndërsa konkursi për pozitën ligjore ishte shpallur më 5 nëntor të po atij viti.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje për vlerësimin e nevojave organizative dhe operative të ndërmarrjes, pasi largimi i punonjësve nga kjo fushë u pasua brenda pak ditësh me hapjen e një konkursi për pozitë të ngjashme.
Në njoftimin e 1 tetorit 2026, përmes të cilit Telekomi kishte ftuar punonjësit të aplikonin për pakot e largimit vullnetar, ishte bërë e ditur se secila kërkesë do të shqyrtohej dhe vlerësohej individualisht, duke marrë parasysh nevojat organizative dhe operative të ndërmarrjes.
Por, dokumentet e siguruara nga Insajderi ngrenë dyshime nëse ky kriter është zbatuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë punonjësit.
Komisioni që kishte shqyrtuar dhe miratuar kërkesat për largim nga puna ishte formuar nga kryeshefja ekzekutive, Burbuqe Hana. Në përbërje të tij ishin Feim Kelemendi, Avni Tafilaj, Lenora Sylaj dhe Halil Krasniqi, persona të emëruar në pozita gjatë kohës së qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Në anën tjetër, sipas dokumentacionit, disa punonjësve të tjerë u ishin refuzuar kërkesat për përfitimin nga kjo skemë, ndonëse edhe ata kishin aplikuar. Arsyeja e dhënë për refuzimin e tyre ishte se kishin qenë në pushim pa pagesë. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi