
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si të suksesshëm takimin trepalësh me homologun amerikan, Donald Trump, dhe atë kinez, Xi Jinping, në Shenzhen të Kinës, ndërsa CNN vlerëson se samiti i dha Kremlinit një fitore të rëndësishme në aspektin diplomatik dhe të imazhit ndërkombëtar.
Sipas një analize të CNN-it, Putini synonte të shfaqej si udhëheqësi i një fuqie botërore, e cila, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit ndërkombëtar për shkak të luftës në Ukrainë, vazhdon të ketë ndikim në skenën globale.
Takimi 90-minutësh me Trumpin dhe Xi Jinpingun duket se i dha presidentit rus pikërisht këtë mundësi.
“Askush nuk priste që gjithçka të shkonte kaq mirë”, deklaroi Putini pas përfundimit të takimit, duke shprehur kënaqësinë për bisedimet me homologët e tij.
Edhe mediat shtetërore ruse e vlerësuan takimin si “historik”, ndërsa CNN thekson se rëndësia e tij nuk qëndronte vetëm te fotografia e përbashkët e tre liderëve, por edhe te përmbajtja e diskutimeve.
Sipas një përmbledhjeje të publikuar nga pala kineze, tre udhëheqësit kanë diskutuar, ndër të tjera, për rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të rafinuara të naftës.
Një zhvillim i tillë, nëse konkretizohet, mund të përbëjë përfitim të madh ekonomik për Rusinë, industria e naftës dhe gazit e së cilës është goditur rëndë nga sanksionet ndërkombëtare.
Ndërkohë, gjatë një prononcimi për gazetarët në Shenzhen, Putini shfrytëzoi rastin për të fajësuar sërish Ukrainën dhe mbështetësit e saj evropianë për vazhdimin e luftës.
Ai pretendoi se Kievi dhe aleatët e tij ende nuk janë të gatshëm të pranojnë kompromiset për një zgjidhje të konfliktit, por shprehu shpresën se qëndrimi i tyre mund të ndryshojë në të ardhmen.
Samiti në Kinë i dha Putinit mundësinë të paraqitej përkrah dy prej liderëve më të fuqishëm të botës, në një kohë kur Rusia vazhdon të përballet me presionin ndërkombëtar për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali