
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me gjithsej 21 vjet burgim tre persona për trafikimin e 83 kilogramëve e 592 gramëve heroinë nga Turqia në Kosovë, ndërsa dy të akuzuar të tjerë janë liruar nga akuza.
Lorik Tigani, Onur Vizdik dhe Ilir Mema janë dënuar me nga shtatë vjet burgim secili, ndërsa në total janë shqiptuar edhe 31 mijë euro gjobë.
Të tre janë shpallur fajtorë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Lorik Tigani është dënuar edhe me 10 mijë euro gjobë, Onur Vizdik me 11 mijë euro, ndërsa Ilir Mema me 10 mijë euro.
Ndërkaq, Muhamet Hasani dhe Shefket Demi janë liruar nga akuza për ndihmë në kryerjen e veprës penale që lidhet me narkotikët.
Hasani, i mbrojtur nga avokati Besnik R. Berisha, dhe Demi akuzoheshin se kishin ndihmuar në transportimin e drogës nga Turqia në Kosovë përmes kompanisë “Alba Trans”.
Aktgjykimi është shpallur të enjten nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska, me anëtarët Avni Syla dhe Violeta Namani-Hajra.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, heroina ishte fshehur në 32 reflektorë dhe ishte transportuar me një kamion të kompanisë “Alba Trans”.
Ngarkesa prej 83 kilogramësh e 592 gramësh ishte zbuluar më 23 shkurt 2022, gjatë kontrollit në terminalin doganor në Han të Elezit.
Prokuroria pretendonte se droga kishte për destinacion Prishtinën, ku ishte planifikuar të shpërndahej dhe shitej.
Sipas aktakuzës, Mentor Imami, i cili ndodhet në arrati, kishte organizuar veprimtarinë e grupit, përfshirë transportimin dhe gjetjen e personave për shpërndarjen e narkotikëve.
Lorik Tigani dhe Onur Vizdik akuzoheshin për bashkëpunim me Imamin në organizimin e transportit, ndërsa Ilir Mema dyshohej se kishte qëndruar me të në Stamboll, ku kishin siguruar dhe paketuar ngarkesën.
Gjykata vendosi edhe konfiskimin e narkotikëve dhe armëve të përfshira në aktakuzë, si dhe të shumës prej 3 mijë e 793 euro e 16 centë nga Lorik Tigani.
Në këtë rast, procedura ndaj Faik Krosës është veçuar, ndërsa Mentor Imami vazhdon të jetë në arrati.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë sipas procedurave ligjore.
Burimi: Insajderi