Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka prezantuar të mërkurën Vjetarin e Politikës së Jashtme të Kosovës 2025–2026, i cili evidenton një bilanc të përzier të diplomacisë kosovare, me katër njohje të reja ndërkombëtare, por edhe ngecje në proceset e integrimit euroatlantik dhe dobësim të koordinimit politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Publikimi, i realizuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), analizon zhvillimet në politikën e jashtme të Kosovës nga 1 janari 2025 deri më 15 prill 2026, duke përfshirë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, njohjet diplomatike, proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe dialogun me Serbinë.
Sipas vjetarit, Kosova gjatë vitit 2025 siguroi njohje nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, duke i dhënë fund një periudhe gati pesëvjeçare pa njohje të reja.
Raporti vlerëson se këto rezultate u arritën përmes angazhimit të drejtpërdrejtë bilateral, rrjeteve diplomatike dhe mbështetjes së partnerëve ndërmjetësues. Në këtë drejtim, Turqia luajti rol në njohjen nga Sudani, ndërsa Arabia Saudite kontribuoi në njohjen nga Siria.
Megjithatë, PIPS vlerëson se përkundër këtyre zhvillimeve, objektivat kryesore të integrimit ndërkombëtar të Kosovës mbetën të bllokuara, ndërsa kriza e zgjatur institucionale dhe dobësimi i koordinimit me aleatët kufizuan rezultatet diplomatike.
Dobësim i koordinimit me SHBA-në
Një prej çështjeve të evidentuara në raport është përkeqësimi i koordinimit politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në raport me zhvillimet në veri të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.
Sipas PIPS-it, pezullimi i Dialogut Strategjik të planifikuar në shtator të vitit 2025 ishte shfaqja më e dukshme e këtij dobësimi të marrëdhënieve.
Megjithatë, raporti thekson se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes vazhdoi, ndërsa nënvizon nevojën për rindërtimin e besimit me Uashingtonin dhe kryeqytetet kryesore evropiane përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe përmbushjes së zotimeve të përbashkëta.
Kosova pa përparim formal në integrimin euroatlantik
Në fushën e integrimit evropian dhe euroatlantik, vjetari evidenton mungesë të përparimit formal.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ende nuk i ishte përcjellë Komisionit Evropian për vlerësim, ndërsa procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës mbeti i bllokuar në fazën politike.
Po ashtu, nuk pati avancim drejt Partneritetit për Paqe apo anëtarësimit në NATO.
Në anën tjetër, si zhvillime pozitive përmenden lirimi i fondeve të bllokuara nga masat kufizuese të BE-së dhe ratifikimi i marrëveshjeve të Planit të Rritjes, të cilat rikthyen mundësi të reja bashkëpunimi dhe financimi.
Dialogu me Serbinë pa zhbllokim politik
Raporti trajton edhe zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se procesi mbeti kryesisht i përqendruar në menaxhimin e çështjeve praktike, pa përparim të rëndësishëm politik.
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit të vitit 2023 vazhduan të shërbenin si kornizë e procesit, por detyrimet kryesore mbetën kryesisht të pazbatuara.
Sipas vjetarit, procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk shënoi përparim, ndërsa Serbia vazhdoi të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Edhe hapat lidhur me çështjen e personave të zhdukur dhe dakordimet për çështje praktike nuk arritën të prodhonin zhbllokim politik të dialogut.
PIPS evidenton gjithashtu kufizimet e Bashkimit Evropian në sigurimin e zbatimit të zotimeve nga palët.
Kriza institucionale ndikoi në politikën e jashtme
Një tjetër gjetje e raportit lidhet me ndikimin e krizës së zgjatur institucionale në politikën e jashtme të Kosovës.
Vonesa në funksionalizimin e institucioneve pengoi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, zbatimin e reformave dhe vazhdimësinë e vendimmarrjes.
Si shembull, raporti përmend ratifikimin e marrëveshjeve të Planit të Rritjes menjëherë pas formimit të qeverisë në shkurt të vitit 2026, duke e cilësuar këtë si dëshmi të ndikimit që bllokada e brendshme pati në agjendën evropiane të Kosovës.
Në aspektin e zgjerimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, vjetari veçon hapjen e ambasadës së Kosovës në Malajzi dhe angazhimin me shtetet e Gjirit Persik, Afrikës dhe Karaibeve.
Megjithatë, sipas raportit, sfida mbetet që kontaktet diplomatike të nivelit të lartë të shndërrohen në marrëveshje ekonomike, përfaqësim diplomatik dhe lidhje institucionale afatgjata.
Për raportet me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, rekomandohet një qasje e diferencuar dhe zgjerim i bashkëpunimit politik, ekonomik, parlamentar dhe akademik.
Gjetjet e Vjetarit të Politikës së Jashtme 2025–2026 u prezantuan nga Jon Krasniqi, autor i publikimit dhe menaxher i programeve e hulumtues në PIPS.
Në diskutimin për pozitën e Kosovës në një mjedis ndërkombëtar në ndryshim, marrëdhëniet me partnerët dhe sfidat e shërbimit të jashtëm morën pjesë Bernard Nikaj, Fatmir Haxholli dhe Butrint Berisha.
Ndërsa perspektiva parlamentare dhe roli i Kuvendit në mbikëqyrjen e politikës së jashtme u trajtuan nga Lutfi Haziri dhe Time Kadrijaj.
Në rekomandimet për të ardhmen, PIPS thekson nevojën për rindërtimin e besimit me SHBA-në, koordinim më të ngushtë me aleatët evropianë dhe përcaktim më të qartë të prioriteteve diplomatike.
Raporti kërkon gjithashtu një strategji të qëndrueshme për sigurimin e njohjeve të reja, forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe profesionalizimin e shërbimit diplomatik, duke vlerësuar se stabiliteti institucional dhe përmbushja e zotimeve mbeten vendimtare për besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.
Vjetari dhe aktiviteti i prezantimit u realizuan me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS).