Kurti për Lojërat Mesdhetare 2030: Do t’i bëjmë me çdo kusht pa korrupsion

Kurti për Lojërat Mesdhetare 2030: Do t’i bëjmë me çdo kusht pa korrupsion

Written by

in

Kurti për Lojërat Mesdhetare 2030: Do t’i bëjmë me çdo kusht pa korrupsion

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 po përballet me vështirësi, duke përmendur mungesën e unitetit të brendshëm dhe bashkëpunimin jo të mirë me Komunën e Prishtinës.

Kurti, duke folur për përgatitjet për këtë ngjarje sportive, ka thënë se është për keqardhje që diskutimet dhe mbledhjet e Komitetit Organizativ po përcillen me sulme të brendshme në opinionin publik.

“Ne po i bëjmë të gjitha përgatitjet, kemi pasur edhe një mbledhje të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, dhe natyrisht që aty jemi bashkë. Është për të ardhur keq që kur po përfundojnë mbledhjet, diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pastaj po dalin në opinionin publik kush qysh votoi dhe me sulme të brendshme. Duhet të jemi unikë për këtë gjë, dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030”, ka deklaruar Kurti në Kuvend, transmeton Klankosova.tv.

Ai ka thënë se vazhdon të jetë optimist për organizimin e Lojërave Mesdhetare, por optimizmi i tij është i përmbajtur për shkak të mosmarrëveshjeve dhe mungesës së bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

“Vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur, për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe me Komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë”, ka thënë ai.

Kurti e ka cilësuar fitore të madhe marrjen e përgjegjësisë për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive, duke përmendur përfshirjen e dhjetë komunave të Kosovës dhe të Durrësit në Shqipëri.

“Është fitore e madhe që ne e kemi marrë përgjegjësinë në organizimin e këtyre lojërave, 10 komuna të Kosovës bashkë edhe me një komunë në Shqipëri, Durrësin dhe në anën tjetër planifikimet për investimet, libri me të cilin kemi aplikuar dhe kemi fituar duhet të zbatohet në plotni.

Ka pasur dallime e mospajtime, ka edhe mosbesime, kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht pa korrupsion, kjo është e rëndësishme për neve, prandaj edhe besoj që dikush ka hasur në vështirësi tek ne”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe vonesat në miratimin e Ligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke thënë se qëndrimi i gjatë i tij në Gjykatën Kushtetuese ka ndikuar në ngecjen e përgatitjeve.

“Në anën tjetër duhet theksuar që vonesat kryesore i kemi për shkak se Ligji për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 ka qëndruar në Gjykatën Kushtetuese tepër gjatë dhe neve na ka bllokuar në ecjen përpara. Në mungesë të këtij ligji është dashur të shqyrtohen modalitetet që natyrisht kanë sjellë shpesh më shumë probleme se zgjidhje”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv