Nga themelimi i Fiatit dhe miqësia me Mussolinin, te aventurat sentimentale, aksidentet dhe luftërat për trashëgiminë miliardëshe – historia e familjes që për dekada ndikoi në ekonominë, politikën dhe jetën mondane të Italisë
Mbiemri Agnelli nuk është thjesht emri i një familjeje të pasur. Për dekada, ai ka simbolizuar fuqinë industriale, ndikimin politik dhe elegancën italiane. Historia e kësaj dinastie përfshin pasuri marramendëse, lidhje me njerëzit më të fuqishëm të botës, dashuri të përfolura dhe tragjedi që tronditën opinionin publik.
Nga një familje aristokrate te perandoria Fiat
Familja Agnelli jetonte prej shekujsh në Villar Perosa, pranë Torinos. Giovanni Agnelli, i lindur më 1866, ndoqi fillimisht rrugën politike të të atit, Edoardos, duke u bërë kryetar komune në moshën 29-vjeçare.
Por ambiciet e tij shkonin përtej politikës.
Në vitin 1899, ai ishte ndër themeluesit e kompanisë Fabbrica Italiana Automobili Torino, e njohur botërisht si Fiat. Me një investim fillestar modest, Giovanni arriti të siguronte drejtimin e ndërmarrjes që më vonë u shndërrua në simbol të industrisë italiane.
Ai përfshihej personalisht në përzgjedhjen e inxhinierëve, projektimin e makinave dhe zhvillimin e motorëve, transmeton Telegrafi.
Luftërat i sollën kompanisë kontrata të rëndësishme ushtarake. Në vitin 1914, Giovanni u njoh me Benito Mussolinin, të cilin më vonë e mbështeti politikisht.
Ndërkohë, zgjeroi ndikimin duke investuar në gazetën La Stampa, në sektorin bankar dhe, më 1923, duke marrë kontrollin e klubit Juventus.
Tragjedia që ndryshoi fatin e trashëgimtarit
Giovanni kishte parashikuar që perandorinë ta trashëgonte djali i tij, Edoardo, i martuar me aristokraten Virginia Bourbon del Monte.
Çifti kishte shtatë fëmijë. Më i njohuri ishte Giovanni, i quajtur Gianni, nipi i preferuar i themeluesit të Fiatit.
Edoardo Agnelli (1892–1935), babai i Gianni Agnellit, i cili humbi jetën në një aksident ajror
Fëmijëria e tij u ndërpre brutalisht më 1935, kur babai humbi jetën në një aksident me hidroavion. Gianni ishte vetëm 14 vjeç.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai shërbeu në ushtri, u plagos disa herë dhe, pas ndryshimit të aleancave të Italisë më 1943, bashkëpunoi me forcat aleate.
Pas rënies së Mussolinit, familja Agnelli u përball me pasoja politike. Giovanni u largua nga drejtimi i Fiatit dhe vdiq në dhjetor 1945.
Gianni ndihmoi që kompania të mbetej nën kontrollin familjar, por drejtimin e përditshëm ia la Vittorio Vallettas.
Jackie Kennedy, Pamela Churchill dhe jeta e një playboy-i
I diplomuar për drejtësi në Universitetin e Torinos, Gianni fitoi pseudonimin L’Avvocato – Avokati.
Megjithatë, fama e tij lidhej po aq me jetën mondane sa me biznesin.
Ai frekuentonte Rivierën Franceze, organizonte festa luksoze dhe udhëtonte vazhdimisht ndërmjet Milanos, Parisit e Monakos.
Gianni Agnelli me bashkëshorten Marella Caracciolo, në vitin 1966
Megjithëse ishte i martuar me aristokraten Marella Caracciolo, e njohur si një nga figurat elegante të rrethit të Truman Capotes, shtypi e lidhte me emra të famshëm.
Mes tyre përmendeshin Hedy Lamarr, Anita Ekberg, Silvia Monti dhe Jackie Kennedy.
U përfol gjithashtu lidhja e tij me Pamela Churchill Harriman, ish-bashkëshorten e Randolph Churchillit, djalit të Winston Churchillit.
Pamela Churchill Harriman, aristokratja britanike që pati një marrëdhënie sentimentale me Gianni Agnellin
Këto histori, megjithatë, mbeten kryesisht pjesë e rrëfimeve dhe thashethemeve mondane.
Përveç pamjes dhe pasurisë, Gianni njihej për elegancën dhe sjelljen e tij.
Miku i tij, biznesmeni Jean Pigozzi, kujtonte se ai komunikonte me të njëjtën mirësjellje si me njerëzit e zakonshëm, ashtu edhe me politikanët dhe drejtuesit e kompanive.
Stili i tij kopjohej gjerësisht. Sipas një anekdote, Gianni porositi qëllimisht një kostum rozë të shëmtuar për të vënë në lojë një pasanik që imitonte çdo veshje të tij.
Gianni Agnelli në timonin e një Ferrari 365 P, një prej automobilave të tij të veçantë/alVolante
Aksidenti që pothuajse i kushtoi jetën
Gianni kishte pasion makinat e shpejta dhe drejtimin e rrezikshëm.
Pas një nate feste pranë Monte Karlos, ai pësoi një aksident të rëndë me Ferrari, duke u përplasur me një kamion.
Mbijetoi, por pësoi shtatë fraktura në këmbë dhe iu desh të hiqte dorë nga skijimi, një nga pasionet e tij.
Aksidenti u konsiderua një pikë kthese në jetën personale të trashëgimtarit.
Marshi historik i punonjësve të Fiatit në Torino, më 14 tetor 1980/Rai News
Vitet e terrorizmit dhe rikthimi i Fiatit
Kur Gianni mori plotësisht drejtimin e Fiatit, Italia po hynte në periudhën e trazuar të viteve 1970, të njohur si Vitet e Plumbit.
Kriza ekonomike, grevat dhe dhuna politike e organizatave terroriste, përfshirë Brigadat e Kuqe, rrezikonin stabilitetin e vendit.
Megjithëse ishte objektiv i mundshëm, Agnelli refuzoi të largohej nga Italia.
Në tetor 1980, pas bllokimit të fabrikave nga sindikatat, rreth 40 mijë njerëz marshuan në Torino, duke shënuar një kthesë në konfliktin industrial.
Vitet 1980 sollën përmirësim ekonomik. Eksportet përbënin një pjesë gjithnjë më të madhe të aktivitetit të Fiatit.
Gianni vazhdoi njëkohësisht angazhimin në Juventus, duke mbështetur afrimin e yjeve si Michel Platini, Roberto Baggio dhe Zinedine Zidane.
Gianni Agnelli dhe Michel Platini gjatë një vizite në ambientet stërvitore të Juventusit
Pavarësisht përgjegjësive, ai ruajti pasionin për bisedat dhe thashethemet. Miqtë kujtonin telefonatat e tij që në orën pesë e gjysmë të mëngjesit, kur kërkonte lajmet më interesante të ditës.
Tragjeditë që shkatërruan qetësinë familjare
Në fund të viteve 1990, problemet u shtuan.
Fiat po humbiste terren përballë prodhuesve japonezë, ndërsa Agnelli u përfshi në hetime për financimin e paligjshëm të politikës.
Por goditjet më të dhimbshme ishin personale.
Në vitin 1997, nipi i tij Giovanni Alberto Agnelli, i përgatitur për trashëgiminë e kompanisë, vdiq nga kanceri në moshën 33-vjeçare.
Tri vjet më vonë, djali i vetëm i Giannit, Edoardo, humbi jetën nga vetëvrasja.
I diplomuar në Princeton dhe i interesuar për filozofinë e spiritualitetin lindor, Edoardo kishte marrëdhënie të vështira me të atin.
Këto humbje ndikuan rëndë në gjendjen e Giannit.
Ceremonia mortore e Gianni Agnellit në Torino, më 26 janar 2003
Ai vdiq nga kanceri më 24 janar 2003, në Torino. Sipas një rrëfimi të paprovuar, ndër fjalët e fundit të tij ishte mendimi se dhimbjen duhet ta mbash për vete, sepse askush nuk mund të të ndihmojë.
Varrimi i tij u shndërrua në një ngjarje kombëtare.
Gianni Agnelli me nipin e tij, John Elkann, gjatë një ndeshjeje të Juventusit/La Stampa
Trashëgimia miliardëshe dhe përplasja brenda familjes
Para vdekjes, Gianni kishte zgjedhur John Elkannin, nipin e tij, si pasardhës në drejtimin e perandorisë.
Vendimi shkaktoi mosmarrëveshje të thella familjare, veçanërisht me Margherita Agnellin, nënën e Johnit.
Pas negociatave, ajo pranoi një marrëveshje financiare, vlera e së cilës është raportuar ndërmjet 1.2 dhe 2 miliardë dollarëve.
Megjithatë, në vitin 2007, Margherita nisi kontestime të reja ligjore lidhur me pasurinë dhe strukturat e trashëgimisë.
Kështu, edhe pas vdekjes së Gianni Agnellit, dinastia që simbolizoi fuqinë industriale italiane vazhdoi të përballej me një histori të ndërlikuar pasurie, pushteti dhe konfliktesh familjare. /Telegrafi/