Dukuri e rrallë, lejlekët po qëndrojnë në Shqipëri edhe gjatë nëntorit

Dukuri e rrallë, lejlekët po qëndrojnë në Shqipëri edhe gjatë nëntorit

Written by

in

Dy lloje lejlekësh, lejleku i bardhë (Ciconia ciconia) dhe lejleku i zi (Ciconia nigra), janë vrojtuar ditë më parë në Shqipëri, në një periudhë kur këta shpend shtegtarë zakonisht kanë përfunduar largimin drejt Afrikës.

Sipas vrojtimit të publikuar nga një vëzhgues i shpendëve, të dyja speciet nuk kanë popullata të mëdha në Shqipëri, por gjatë viteve të fundit është vërejtur rritje e numrit të tyre, veçanërisht e lejlekut të bardhë.

Zona e Gjirokastrës, Vlorës dhe Fierit përmendet si një ndër hapësirat ku këta shpendë grumbullohen më shpesh.

Ajo që e bën më të veçantë këtë vrojtim është periudha e vitit. Lejlekët janë shpendë shtegtarë dhe popullatat evropiane zakonisht nisin udhëtimin drejt Afrikës para muajit nëntor.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit janë raportuar vrojtime të ngjashme në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke treguar se disa individë po e zgjasin qëndrimin në vend deri në fund të vjeshtës.

Sipas vëzhguesit, ndryshimet e temperaturave dhe klimës, si dhe mundësia për të gjetur ushqim të mjaftueshëm, mund të jenë ndër faktorët që ndikojnë në këtë dukuri. Disa prej individëve mund të qëndrojnë edhe gjatë gjithë vitit në Shqipëri.

Lejleku i bardhë dhe ai i zi kanë dallime edhe në habitatin dhe mënyrën e të ushqyerit.

Lejleku i bardhë preferon kryesisht zonat fushore dhe ushqehet me insekte, gjitarë të vegjël dhe peshq. Zakonisht qëndron në Shqipëri nga marsi deri në gusht ose shtator.

Ndërkaq, lejleku i zi preferon zonat pranë liqeneve dhe lumenjve, ku ushqehet kryesisht me peshq dhe jovertebrorë ujorë. Ai është më i tërhequr dhe më pak i ekspozuar ndaj pranisë së njerëzve, ndërsa periudha e zakonshme e qëndrimit në Shqipëri zgjat nga marsi deri në tetor.

Për këtë arsye, vrojtimi i tij gjatë nëntorit konsiderohet i pazakontë dhe lidhet me shtegtimin e vonshëm./Telegrafi/