
Beteja juridike për katër ish-krerët e UÇK-së nuk përfundoi me aktgjykimin e 16 shtatorit. Tani, palët kanë hyrë në fazën e përgatitjes së apelimeve, ndërsa 27 nëntori është data kur duhet të tregojnë nëse do ta kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se cilat çështje mund të shqyrtohen në shkallën e dytë dhe cilët janë hapat e radhës në këtë proces.
Kanë kaluar më shumë se tri javë nga shpallja e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa po afrohet afati për njoftimin e apelimit.
Fillimisht, palët duhej të njoftonin deri në mes të tetorit nëse do ta apelonin aktgjykimin. Por, me kërkesë të Mbrojtjes, Paneli i Apelit e shtyu këtë afat deri më 27 nëntor.
Kërkesa për shtyrje u arsyetua me kompleksitetin e çështjes, si dhe me faktin se ekipet e Mbrojtjes nuk e kishin pranuar ende aktgjykimin e përkthyer në gjuhën shqipe.
Nga Dhomat e Specializuara kanë thënë për RTK-në se, deri tani, nuk ka asnjë parashtresë publike që tregon se ndonjëra nga palët ka dorëzuar njoftimin për apelim apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon t’i kundërshtojë në shkallën e dytë.
Sipas Speciales, procedura formale e apelit nis me dorëzimin e njoftimit për apelim.
‘Paneli i Apelit mund të shqyrtojë apelimet mbi baza të ndryshme, përfshirë gabimet e pretenduara në ligj, në fakte ose në caktimin e dënimit. Gjatë procedurës së apelimit, palët mund të kërkojnë paraqitjen e provave shtesë, duke specifikuar gjetjen faktike të Trupit Gjykues me të cilën lidhen ato prova. Apeli mund ta vërtetojë, rrëzojë ose ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë. Në rrethana të përshtatshme, mund të urdhërojë edhe rigjykimin e çështjes nga Trupi Gjykues”.
Në rast se apelohet vetëm dënimi, sipas gjykatës, afatet deri në vendim mund të jenë më të shkurtra.