OVL e UÇK-së paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse zvarritet miratimi i Ligjit për Specialen

OVL e UÇK-së paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse zvarritet miratimi i Ligjit për Specialen

Written by

in

OVL e UÇK-së paralajmëron protesta gjithëpopullore nëse zvarritet miratimi i Ligjit për Specialen

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore në rast se procesi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara vazhdon të zvarritet dhe nuk përmbyllet së shpejti.

Në një reagim për media, OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet partiake dhe të angazhohen për përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi.

Sipas organizatës, është e papranueshme që një çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare.

OVL e UÇK-së ka kërkuar që plotësim-ndryshimet e ligjit të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.

Po ashtu, organizata ka vlerësuar se kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike.

Ndërkohë, sot pritej që në Kuvendin e Kosovës të hidhej në votim Ligji për Dhomat e Specializuara, por kjo nuk ndodhi pasi seanca plenare u shty deri në një njoftim të radhës.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se drafti i parë pritet të jetë gati javën e ardhshme.

Ai ka njoftuar se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e UÇK-së do të sjellë propozimin për ligjin e ri. Në këtë grup, sipas Kurtit, janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në proces janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.

Kurti ka theksuar se përmbajtja e ligjit duhet të hartohet me kujdes, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës, para se të procedohet për diskutim dhe miratim. Ai ka shtuar se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali