Meçi me Furyn mund të jetë ndër të fundit, Joshua flet për pensionimin

Meçi me Furyn mund të jetë ndër të fundit, Joshua flet për pensionimin

Written by

in

Anthony Joshua ka lënë të kuptohet se karriera e tij në boksin profesionist mund të përfundojë së shpejti, ndërsa ka zbuluar se pas pensionimit mund të investojë në kompaninë e njohur të veshjeve sportive “Under Armour”.

Boksieri britanik, i cili është 37-vjeçar, pritet të rikthehet në ring muajin e ardhshëm për t’u përballur me rivalin e tij, Tyson Fury. Megjithatë, Joshua ka pranuar se nuk i kanë mbetur edhe shumë vite në nivelin më të lartë të këtij sporti.

Dy herë kampioni i botës në kategorinë e rëndë ka nisur karrierën profesioniste para 13 vjetësh, por emrin e kishte bërë të njohur më herët, kur fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.

Joshua: Nuk kam edhe shumë vite në boks

Me një bilanc prej 30 fitoresh dhe katër humbjesh, Joshua ka pranuar se po i afrohet fundit të karrierës. Në një intervistë për gazetën britanike “The Sun”, ai ka folur hapur për mundësinë e pensionimit.

“Nuk më besohet se jam 37-vjeçar. Është e pabesueshme”, ka thënë Joshua.

“Kur do të pensionohem? Shumë shpejt. Po plakem. Nga këndvështrimi i një sportisti, unë po plakem. Kështu që ndoshta herën tjetër kur të bisedojmë, mund të flasim për planet pas boksit, sepse kjo do të vijë shumë shpejt. Nuk kam edhe shumë vite para”, ka shtuar ai.

Planet pas boksit, investim te “Under Armour”?

Joshua ka bashkëpunuar me “Under Armour” që nga viti 2015, ndërsa në mars të vitit 2024 nënshkroi një marrëveshje afatgjatë me kompaninë amerikane. Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë pjesë e disa prej fushatave të saj globale të marketingut.

I pyetur nëse mund të blejë aksione në këtë kompani pas përfundimit të karrierës, britaniku nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë.

“Unë bëj atë që mundem. Jetoj me atë që kam nevojë, jo me atë që dua. Dhe kjo ka funksionuar. Mendoj se kur të pensionohem, do të jem më i qetë dhe do të shikoj mundësinë për të investuar te ‘Under Armour’ ose për të pasur aksione në këtë kompani. Deri tani jam i kënaqur”, ka deklaruar ai.

Meçi me Furyn mund të jetë ndër të fundit

Meçi ndaj Tyson Furyt, i planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff, mund të jetë një nga paraqitjet e fundit të Joshuas në ring.

Përballja mes dy boksierëve britanikë është cilësuar si një nga meçet më të mëdha të boksit në Britaninë e Madhe. /Telegrafi/