Bajrami: Reduktimet e energjisë tash lejohen me vendim të Kuvendit

Bajrami: Reduktimet e energjisë tash lejohen me vendim të Kuvendit

Written by

in

Bajrami: Reduktimet e energjisë tash lejohen me vendim të Kuvendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Kuvendit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, duke thënë se ai nuk e përmirëson furnizimin, por i mbron operatorët nga përgjegjësia për dëmet.

Sipas Bajramit, Kuvendi i Kosovës votoi pas mesnatës vendimin e Qeverisë për masa emergjente në energji, i cili u mbështet nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo thotë se për 60 ditë energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, me autorizim të Kuvendit.

“Ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike”, ka shkruar ajo në një postim.

Bajrami ka theksuar se vendimi e detyron Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por ka vënë në dyshim efektin e kësaj, pasi kapaciteti i instaluar i tij është rreth 30 MW.

Sipas saj, vendimi vlen për:

– arsyetimin e reduktimeve,

– blerjen e energjisë elektrike pa zbatuar rregullat e prokurimit publik,

– kontraktimin e kompanive për investime dhe remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit.

Deputetja kujton se masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021 dhe se, gati pesë vjet më vonë, qeveria ende qeveris me masa të tilla.

Ajo e akuzon Qeverinë për mungesë të zgjidhjeve afatgjata dhe thekson se:

– nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë,

– remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë,

– Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet,

– nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.

Sipas Bajramit, e vetmja zgjidhje janë kapacitetet e reja gjeneruese. “Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet”, paralajmëron ajo, duke shtuar se shumë shpejt Kosova mund të arrijë në pikën kur as qytetarët as buxheti nuk do të mund t’i përballojnë faturat e energjisë.