Tre persona arrestohen në Durrës, njëri dyshohet se grabiti taksistin, dy të tjerë kapen me drogë në port

Tre persona arrestohen në Durrës, njëri dyshohet se grabiti taksistin, dy të tjerë kapen me drogë në port

Written by

in

Tre persona arrestohen në Durrës, njëri dyshohet se grabiti taksistin, dy të tjerë kapen me drogë në port

Tre persona janë arrestuar nga Policia në Durrës, në kuadër të dy operacioneve të ndara, të zhvilluara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Në operacionin e koduar “Reagimi”, është arrestuar një 34-vjeçar, i dyshuar për grabitjen e një taksisti, të cilin paraprakisht e kishte kërcënuar me mjet prerës në lagjen nr. 14 të Durrësit.

Sipas Policisë, i dyshuari me inicialet Xh. S. mëngjesin e sotëm i ka marrë taksistit 30-vjeçar, me inicialet A. Q., telefonin celular, një shumë parash dhe çelësin e automjetit.

Pas raportimit të rastit, zyrtarët policorë të Komisariatit të Durrësit, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë ndërmarrë kontrolle në terren, duke arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin në një kohë të shkurtër.

Ndërkaq, në operacionin tjetër të koduar “Yellow Line”, të zhvilluar në Portin e Durrësit, janë arrestuar dy të rinj, të dyshuar për transportimin e farave të kanabisit dhe lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë D. Z., 27 vjeç, dhe E. K., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të një furgoni, të drejtuar nga 27-vjeçari, ku 24-vjeçari ishte pasagjer, Policia ka zbuluar një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara narkotike të llojit kanabis, një sasi lënde të dyshuar narkotike të të njëjtit lloj, si dhe një shumë parash.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lëndët e dyshuara narkotike, paratë, furgoni dhe dy telefona celularë.

Policia ka bërë të ditur se dy operacionet janë zhvilluar në kuadër të luftës kundër veprimtarive kriminale në qytetin e Durrësit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali