GTA 6 “trondit” tregun, shet afro 25 milionë kopje brenda 24 orëve

GTA 6 “trondit” tregun, shet afro 25 milionë kopje brenda 24 orëve

Written by

in

GTA 6 “trondit” tregun, shet afro 25 milionë kopje brenda 24 orëve

Grand Theft Auto 6 (GTA 6) ka shënuar një debutim të jashtëzakonshëm në tregun e videolojërave, duke gjeneruar rreth 2.36 miliardë dollarë të ardhura nga porositë paraprake dhe shitjet në ditën e parë të lansimit, sipas vlerësimeve të platformës analitike Sensor Tower.

Loja e shumëpritur, e zhvilluar nga Rockstar Games, u lansua globalisht më 19 nëntor, pas një pritjeje 13-vjeçare që nga publikimi i GTA 5 në vitin 2013.

Sipas të dhënave të Sensor Tower, deri të enjten në mbrëmje janë shitur rreth 24.58 milionë kopje të GTA 6, duke reflektuar interesimin e madh të lojtarëve në mbarë botën.

Megjithatë, këto shifra ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Rockstar Games apo kompania mëmë Take-Two Interactive. Vlerësimet e Sensor Tower përfshijnë si porositë paraprake, ashtu edhe blerjet e realizuara gjatë ditës së lansimit.

Për të kuptuar përmasat e këtij rezultati, GTA 5 kishte gjeneruar mbi 800 milionë dollarë të ardhura nga shitjet me pakicë vetëm gjatë 24 orëve të para pas publikimit, duke vendosur një nga rekordet më të mëdha në industrinë e videolojërave.

GTA 6 është në dispozicion për konsolat PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S. Ngjarjet e lojës zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar amerikan i frymëzuar nga Florida, ku bën pjesë edhe Vice City, qyteti i njohur i bazuar në Miami.

Në qendër të historisë janë dy personazhet kryesore, Lucia dhe Jason, të cilët përfshihen në një komplot të gjerë kriminal pas një operacioni të dështuar.

Për rëndësinë e këtij projekti ka folur edhe themeluesi dhe presidenti i Rockstar Games, Sam Houser.

“Grand Theft Auto VI përfaqëson gjithçka për të cilën kemi punuar që nga momenti kur filluam të krijojmë lojëra”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, sipas Take-Two Interactive, GTA 5 ka arritur në afro 235 milionë kopje të shpërndara në treg, duke u renditur ndër videolojërat më të suksesshme në histori.

Nëse vlerësimet e Sensor Tower konfirmohen nga shifrat zyrtare, GTA 6 do të regjistrojë një prej debutimeve më të mëdha komerciale që ka njohur ndonjëherë industria e videolojërave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali