Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

Written by

in

Kosova ka nevojë për rezultate, jo për një tjetër kapitull pritjesh: Dhjetë prioritetet për presidenten Justina Shiroka-Pula

Nga Arianit Shehu

Është padyshim një lajm i mirë që Republika e Kosovës, pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik dhe institucional, më në fund ka arritur të funksionalizojë institucionet e saj dhe të zgjedhë Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula. Pas muajsh të tërë përplasjesh politike, kalkulimesh partiake dhe vonesash të panevojshme e vështirë të justifikueshme, qytetarët e Kosovës kanë arsye të ndihen të lehtësuar dhe optimistë. Megjithatë, ky entuziazëm, sado i natyrshëm dhe i mirëpritur, do të zbehet shumë shpejt nëse institucionet e reja nuk fillojnë të prodhojnë rezultate konkrete. Kosova nuk mund të vazhdojë të humbasë kohë të çmuar në betejat e pafundme politike, ndërkohë që qytetarët e saj përballen me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe zhvillimore. Funksionalizimi i institucioneve nuk është sukses në vetvete, por vetëm parakushti për suksesin e vërtetë: përmirësimin e jetës së qytetarëve, forcimin e shtetit dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik.

Realiteti është se Kosova, pavarësisht përparimeve të rëndësishme që ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë, vazhdon të mbetet dukshëm prapa një pjese të konsiderueshme të vendeve të rajonit, si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në integrimin ndërkombëtar. Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s dhe kanë avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për BE, ndërsa Serbia ka vite që zhvillon negociata anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Kosova, ndërkohë, ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për BE dhe vazhdon të përballet me pengesa serioze drejt integrimit në NATO. Edhe në aspektin ekonomik, hendeku mbetet shqetësues. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2026, produkti i brendshëm bruto për frymë i Kosovës, i matur sipas fuqisë blerëse, përfaqëson vetëm rreth 27% të mesatares së Bashkimit Evropian. Ekonomia vazhdon të mbështetet ndjeshëm në konsum, remitanca dhe importe, ndërsa investimet produktive, eksportet dhe krijimi i vendeve cilësore të punës mbeten sfida strukturore. Këto dallime nuk janë thjesht statistika ekonomike apo diplomatike. Ato përkthehen në mundësi të humbura për qytetarët, në largimin e të rinjve dhe në dobësimin e pozitës konkurruese të Kosovës në rajon.

Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula duhet të shënojë më shumë sesa përfundimin e një krize institucionale. Ajo duhet të përfaqësojë fillimin e një kapitulli të ri të përgjegjësisë shtetërore, bashkëpunimit politik dhe orientimit strategjik të vendit.

Presidentja nuk e drejton qeverinë dhe nuk mund të zëvendësojë përgjegjësitë e ekzekutivit apo të Kuvendit. Megjithatë, autoriteti i saj kushtetues, roli përfaqësues, përgjegjësitë në politikën e jashtme dhe aftësia për të ndërtuar konsensus i japin mundësinë të ndikojë fuqishëm në drejtimin strategjik të Republikës.

Presidentja e Republikës ka një rol të rëndësishëm në hartimin dhe promovimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të bashkërendonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe çlirim. Kjo strategji duhet të mbështetet në fakte historike, dokumente dhe argumente juridike, duke siguruar një angazhim të unifikuar të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në mbrojtjen e së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare.

Në këtë kontekst, dhjetë prioritete duhet të jenë në qendër të mandatit të saj presidencial.

Garantimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Mbrojtja e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk është vetëm prioritet politik, por detyrim themelor kushtetues dhe përgjegjësi historike e Presidentes së vendit. Sulmi terrorist në Banjskë, ku në mbrojtje të Republikës ra heroikisht rreshteri Afrim Bunjaku, mbetet një kujtesë e dhimbshme se kërcënimet ndaj sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës janë reale dhe kërkojnë vigjilencë të përhershme. Presidentja duhet të marrë rol udhëheqës në sigurimin e një koordinimi të fuqishëm, të vazhdueshëm dhe efektiv ndërmjet Qeverisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, Agjencisë së Inteligjencës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke garantuar, brenda kompetencave kushtetuese, një qasje të unifikuar shtetërore për identifikimin, parandalimin dhe përballimin e çdo kërcënimi. Ky koordinim duhet të mbështetet në bashkëpunim të ngushtë strategjik me SHBA-në dhe NATO-n. Siguria kombëtare nuk guxon të mbetet peng i rivaliteteve politike, mungesës së koordinimit apo reagimeve të vonuara. Mbrojtja e Republikës, e ndërtuar me gjakun dhe sakrificën e brezave, kërkon institucione që veprojnë si një trup i vetëm, me përgjegjësi, vendosmëri dhe vigjilencë të pandërprerë.

Unifikimi politik dhe shoqëror

Presidentja duhet të jetë nismëtare e unifikimit politik, por mbi të gjitha e unifikimit të njerëzve të Kosovës. Pavarësisht se deputetët e AAK-së nuk morën pjesë në votimin e saj, tani është përgjegjësi e Presidentes të kërkojë dialogun dhe përfshirjen e tyre, sepse edhe ata përfaqësojnë qytetarë të Republikës. Nga momenti i zgjedhjes, nuk bëhet më fjalë për 81 votat që e zgjodhën Presidente, por për 100 për qind të qytetarëve të Kosovës që ajo duhet t’i përfaqësojë.

Kosova duhet ta tejkalojë njëherë e përgjithmonë ndarjen mes “krahut të luftës” dhe “krahut të paqes”. Të dyja janë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetësisë. Demokracia ndërtohet mbi konkurrencën e ideve, politikave dhe platformave për të ardhmen, jo duke e shndërruar historinë në instrument përçarjeje. Serbia ka interes të përfitojë nga ndarjet brenda Kosovës dhe t’i shfrytëzojë ato për dobësimin e kohezionit tonë shoqëror e institucional. Prandaj, unifikimi është më shumë se nevojë politike – është interes strategjik kombëtar. Kosova ka dëshmuar se kur njerëzit e saj bashkohen rreth interesit të vendit, sfidat më të mëdha mund të kapërcehen. Presidentja ka mundësinë ta shndërrojë këtë frymë unifikimi në forcën tonë më të madhe, një popull, një shtet dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.

Rikthimi dhe fuqizimi i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara

Partneriteti me Shtetet e Bashkuara është një nga shtyllat strategjike të sigurisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kosova duhet të kompensojë vitet e humbura dhe ta rikthejë këtë marrëdhënie në nivelin më të lartë të koordinimit dhe besimit strategjik. Në një botë të tronditur nga luftërat, rivalitetet gjeopolitike dhe kërcënimet e reja ndaj sigurisë evropiane, nuk kemi më luksin e distancave apo keqkuptimeve me aleatin tonë kryesor. Presidentja duhet të udhëheqë një angazhim të fuqishëm me administratën amerikane, Kongresin dhe institucionet e sigurisë, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si përfituese të mbështetjes amerikane, por si aleate të besueshme, të përgjegjshme dhe strategjike të SHBA-së në Ballkan. Pikërisht një Kosovë e unifikuar dhe fuqishëm e ankoruar pranë SHBA-së është skenari që Beogradi ka më së paku interes ta shohë të realizuar dhe arsyeja pse forcimi i kësaj aleance duhet të jetë interes i përhershëm shtetëror i Kosovës.

Fuqizimi i partneritetit strategjik me Shqipërinë është obligim jetik kombëtar

Shqipëria dhe Kosova nuk ndajnë vetëm historinë, gjuhën dhe sakrificat për liri, por edhe përgjegjësinë për një të ardhme të përbashkët më të sigurt dhe më të begatë. Presidentja duhet ta ngrejë partneritetin me Shqipërinë në nivelin më të lartë strategjik, duke e shndërruar nga bashkëpunim tradicional në një mekanizëm të përhershëm koordinimi politik, diplomatik, ekonomik dhe të sigurisë kombëtare. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përparimi i saj drejt BE-së janë asete strategjike që Kosova duhet t’i shfrytëzojë shumë më fuqishëm. Kjo kërkon një këshill të përbashkët strategjik, koordinim të rregullt të institucioneve të sigurisë, stërvitje të përbashkëta ushtarake, iniciativa diplomatike për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe projekte konkrete në energji, infrastrukturë e ekonomi. Shqipëria është zëri më i fuqishëm i Kosovës brenda NATO-s dhe në proceset evropiane, ndërsa Kosova duhet ta shohë fuqizimin e Shqipërisë si fuqizim të pozitës së saj strategjike. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ky partneritet nuk është luks diplomatik, por domosdoshmëri kombëtare. Dy shtete sovrane, një vizion strategjik dhe një përgjegjësi e përbashkët për sigurinë, dinjitetin dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.

Përshpejtimi drejt anëtarësimit në NATO

Anëtarësimi në NATO duhet të kalojë nga aspiratë politike në një plan konkret shtetëror, me afate, përgjegjësi dhe rezultate të matshme. Presidentja, në koordinim me Qeverinë, duhet të udhëheqë hartimin e një strategjie kombëtare për integrimin në NATO, me synim sigurimin e pranimit në programin Partneriteti për Paqe (PfP) dhe avancimin drejt Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP). Prioritet duhet të jenë angazhimi i drejtpërdrejtë diplomatik me katër vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën, thellimi i bashkëpunimit me SHBA-në dhe aleatët kryesorë, përshpejtimi i modernizimit të FSK-së sipas standardeve të NATO-s dhe zgjerimi i pjesëmarrjes në stërvitje e misione ndërkombëtare. Kosova nuk mund të vazhdojë të presë që rrethanat ndërkombëtare t’ia hapin rrugën drejt NATO-s por duhet të ndërtojë çdo ditë kushtet politike, diplomatike dhe ushtarake për anëtarësimin e saj.

Një ofensivë energjike diplomatike për integrimin në Bashkimin Evropian

Kosova nuk mund të mbetet vendi i fundit në rajon në rrugën drejt BE-së. Presidentja, në koordinim me Qeverinë, duhet të udhëheqë një ofensivë diplomatike me një objektiv të qartë: avancimin e aplikimit të Kosovës dhe sigurimin e statusit të vendit kandidat. Duhet krijuar një ekip i përbashkët Presidencë–Qeveri, me plane të veçanta angazhimi për pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, si dhe një ofensivë në kryeqytetet kryesore evropiane për të ndërtuar mbështetje politike për avancimin e Kosovës. Çdo ambasadë duhet të ketë objektiva dhe rezultate të matshme. Diplomacia nuk duhet të numërojë takime, por rezultate: njohje, mbështetje, vota dhe hapa konkretë drejt anëtarësimit.

Vendosja e zhvillimit ekonomik në qendër të diplomacisë shtetërore

Pa ekonomi të fuqishme nuk ka as shtet të fuqishëm. Presidentja duhet ta vendosë diplomacinë ekonomike në qendër të agjendës së saj ndërkombëtare dhe, në koordinim me Qeverinë, të përcaktojë objektiva konkrete për investime, eksporte dhe partneritete strategjike. Çdo vizitë shtetërore duhet të shoqërohet me agjendë biznesi dhe projekte konkrete, ndërsa ambasadave duhet t’u vendosen objektiva të matshme për tërheqjen e kapitalit dhe hapjen e tregjeve. Presidenca duhet të thërrasë rregullisht Forumin e Investimeve të Kosovës, duke sjellë kompani, fonde dhe investitorë strategjikë nga SHBA-ja, Evropa dhe Gjiri. Dhe këtu rezultatet maten lehtë: sa investime të reja erdhën, sa kompani u sollën në Kosovë, sa tregje u hapën, sa fabrika u ndërtuan dhe sa vende të reja pune u krijuan. Kosova duhet të kalojë nga promovimi i potencialit tek rezultatet konkrete.

Mbajtja dhe rikthimi i rinisë dhe beteja për të ardhmen e Kosovës

Kosova mund t’i fitojë të gjitha betejat diplomatike, por nëse humb rininë e saj, rrezikon të humbasë të ardhmen. Presidentja duhet ta shpallë mbajtjen dhe rikthimin e të rinjve një objektiv kombëtar, duke mbledhur Qeverinë, komunat, universitetet, bizneset dhe diasporën rreth një strategjie me objektiva të matshme. Duhet të krijohen programe konkrete për punësimin e të diplomuarve, mbështetjen e start-up-eve, bursa të lidhura me punësimin, rikthimin e profesionistëve nga diaspora dhe partneritete mes universiteteve dhe sektorit privat. Suksesi duhet të matet çdo vit: sa të rinj u punësuan, sa biznese krijuan, sa profesionistë u kthyen dhe, mbi të gjitha, sa më pak të rinj e panë largimin si të vetmen rrugë drejt një jete më të mirë. Qëllimi duhet të jetë i thjeshtë dhe i fuqishëm: ta bëjmë Kosovën vendin ku rinia jonë dëshiron të ndërtojë jetën, jo vendin që detyrohet ta lërë.

Një komb, një zë i fuqishëm

Shqiptarët në Luginën e Preshevës, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nuk duhet të ndihen kurrë vetëm, të harruar apo peng i përçarjeve politike. Presidentja mund të ndihmoj drejt unifikimit të faktorit politik shqiptar në rajon në një prioritet të përhershëm strategjik, duke nxitur dialogun, koordinimin dhe platforma të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe interesave të tyre. Marrëveshja e fundit për listën e përbashkët të partive shqiptare në Serbi, e arritur me ndërmjetësimin e Kryeministrit Kurti, është një hap domethënës që duhet përshëndetur dhe shndërruar në model bashkëpunimi afatgjatë. Por unifikimi nuk mund të fillojë dhe të përfundojë me zgjedhjet. Presidentja në koordinim me Qeverinë duhet të institucionalizojë konsultime të rregullta me përfaqësuesit politikë shqiptarë në këto tri shtete, në koordinim me Shqipërinë dhe me respekt të plotë për sovranitetin e tyre. Partitë mund të kenë dallime, por të drejtat, dinjiteti dhe e ardhmja e shqiptarëve duhet të mbeten përgjegjësi e përbashkët. Historia na ka mësuar sa shtrenjtë kushton përçarja; e ardhmja kërkon që forcën tonë ta ndërtojmë mbi unifikimin.

 Rikthimi i besimit qytetar përmes një presidence aktive, transparente dhe gjithëpërfshirëse

Suksesi i institucioneve nuk matet me numrin e takimeve, deklaratave apo ceremonive zyrtare, por me ndikimin që ato kanë në jetën e qytetarëve. Presidentja duhet të ndërtojë një presidencë të hapur, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt interesit publik. Ajo duhet të jetë zëri i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie politike, etnike apo fetare, dhe njëkohësisht një faktor aktiv në promovimin e dialogut, tolerancës dhe kohezionit shoqëror.

Zgjedhja e Presidentes Justina Shiroka-Pula krijon një mundësi të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit institucional dhe ndërtimin e një fryme të re bashkëpunimi politik. Përvoja e saj akademike dhe institucionale mund të shërbejë si një bazë e vlefshme për ushtrimin e këtij roli. Megjithatë, sfidat me të cilat përballet Kosova janë shumë më të mëdha sesa përfundimi i një krize politike. Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për institucione që funksionojnë formalisht. Ata kanë nevojë për institucione që prodhojnë zhvillim ekonomik, siguri, drejtësi, mundësi dhe perspektivë.

Koha kur stabiliteti institucional konsiderohej arritje e mjaftueshme duhet të marrë fund. Kosova ka nevojë për një vizion të qartë shtetëror, për një diplomaci më ambicioze, për një ekonomi më konkurruese dhe për një klasë politike që e vendos interesin kombëtar mbi interesat afatshkurtra partiake. Presidentja Justina Shiroka-Pula ka mundësinë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë transformim. Jo duke zëvendësuar institucionet e tjera, por duke i bashkuar ato rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Republikës. Sepse Kosova nuk mund ta përballojë luksin e një tjetër dekade të humbur në përplasje politike, izolim diplomatik dhe zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik. Tani është koha që institucionet të fillojnë të prodhojnë rezultate dhe që qytetarët të ndiejnë përfitimet konkrete të shtetit për të cilin kanë sakrifikuar aq shumë.

Arianit Shehu sjell më shumë se 30 vjet përvojë në drejtimin e programeve të financuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushat e promovimit të demokracisë, shtetndërtimit, paqes dhe sigurisë. Aktualisht shërben si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më shumë se 27 vjet, Shehu ka shërbyer si Drejtor i Lartë në Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) për Lindjen e Mesme, si dhe ka drejtuar misione dhe programe në më shumë se 16 vende të botës. Për shumë vite, ai gjithashtu ka shërbyer si këshilltar politik i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në kuadër të angazhimeve të saj në Institutin Aspen dhe Këshillin Atlantik. Shehu ka ligjëruar për më shumë se dhjetë vjet në Universitetin e Filadelfias, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe ka drejtuar katedrën e marketingut ndërkombëtar. Gjatë luftës në Kosovë, Arianit Shehu ka shërbyer si korrespondent lufte për gazetën amerikane Los Angeles Times, duke raportuar drejtpërdrejt nga terreni për zhvillimet e luftës.