Trump reagon pasi dy raketa dhe një dron ranë në Poloni

Trump reagon pasi dy raketa dhe një dron ranë në Poloni

Written by

in

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka komentuar incidentin e fundit në Poloni, ku gjatë një sulmi masiv rus ndaj Ukrainës, dy raketa dhe një dron hynë në hapësirën ajrore polake dhe ranë në territorin e këtij shteti.

Në një prononcim për televizionin Fox News, lideri amerikan tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar dronë dhe disa raketa në Poloni, por sipas tij, kjo ka ndodhur gabimisht.

“Putini ka dërguar dronë në Poloni dhe disa raketa të vogla, gabimisht”, deklaroi ai.

Megjithatë, autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si një tjetër provokim rus, duke mos e përjashtuar mundësinë që koha e këtij veprimi të mos ketë qenë e rastësishme.

Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, konfirmoi se njëra prej raketave ishte e tipit Kh-101, ndërsa objekti i dytë besohet të ketë qenë gjithashtu raketë. Objekti i tretë dyshohet të ketë qenë një dron me motor reaktiv.

Të tri objektet ranë në lokacione të ndryshme në lindje dhe juglindje të Polonisë: Nowy Lipowiec, Rudnik nad Sanem dhe Mołodycz. Sipas autoriteteve, nuk pati të lënduar dhe as dëme në infrastrukturën kritike.

Ushtria polake kishte ngritur në ajër avionët luftarakë F-16, ndërsa në operacion morën pjesë edhe aeroplanë suedezë Gripen. Sistemet e mbrojtjes ajrore, përfshirë ato Patriot, u vunë në gatishmëri të lartë.

Incidenti ndodhi në një kohë kur në Poloni po zhvilloheshin ushtrime ushtarake me pjesëmarrjen e trupave nga 11 shtete të Koalicionit të Vullnetit, të cilat po testonin planet për një mision të mundshëm në Ukrainë pas përfundimit të luftës. /Telegrafi/