Ekskluzive | U refuzua në Vërmicë, provoi të hynte në Kosovë nga Qafa e Prushit – 25-vjeçari dyshohet se tentoi ta korruptonte policin me 20 euro

Ekskluzive | U refuzua në Vërmicë, provoi të hynte në Kosovë nga Qafa e Prushit – 25-vjeçari dyshohet se tentoi ta korruptonte policin me 20 euro

Written by

in

Ekskluzive | U refuzua në Vërmicë, provoi të hynte në Kosovë nga Qafa e Prushit – 25-vjeçari dyshohet se tentoi ta korruptonte policin me 20 euro

Një 25-vjeçar, të cilit Policia e Kosovës ia kishte refuzuar hyrjen në pikën kufitare të Vërmicës, ka provuar të hyjë sërish në vend përmes Qafës së Prushit. Por tentativa e dytë ka përfunduar me ndalimin e tij për 48 orë, pasi dyshohet se kishte vendosur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në pasaportën që ia dorëzoi zyrtarit policor, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Fljoren Krasnic, rreth 25 vjeç, shtetas i Serbisë.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 20 nëntor, rreth orës 00:30, në pikën kufitare Qafë Prush, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, i dyshuari po drejtonte një furgon Volkswagen Multivan, me targa të Malit të Zi, dhe kishte ardhur nga Shqipëria me qëllim hyrjen në Kosovë.

Por kjo nuk ishte përpjekja e tij e parë për të kaluar kufirin.

Më herët, ai kishte tentuar të hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Vërmicë, ku zyrtarët policorë ia kishin refuzuar hyrjen.

Sipas burimeve, atij i ishte rekomanduar të mos provonte të hynte sërish në territorin e Kosovës.

Megjithatë, ai kishte vazhduar drejt pikës tjetër kufitare, në Qafë Prush.

Gjatë kontrollit të dokumenteve, 25-vjeçari dyshohet se ia kishte dorëzuar pasaportën policit kufitar së bashku me një kartëmonedhë prej 20 eurosh.

Ky veprim ka ngritur dyshimin se paratë ishin ofruar si ryshfet për të mundësuar hyrjen në Kosovë, pavarësisht refuzimit të mëparshëm.

Pas incidentit janë njoftuar Qendra Komanduese dhe njësitë hetimore, ndërsa rasti është referuar te Prokuroria e Shtetit.

Me urdhër të Prokurorit, ndaj Krasnicit është iniciuar procedura penale për veprën “Dhënia e mitos”.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti i është kaluar Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjakovë për procedura të mëtejshme.

Nga informacionet e deritanishme nuk bëhet e ditur arsyeja konkrete përse atij i ishte refuzuar hyrja në Vërmicë.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali