Aktori i njohur francez sërish në telashe me drejtësinë, akuzohet për përdhunim në grup gjatë xhirimeve

Aktori i njohur francez sërish në telashe me drejtësinë, akuzohet për përdhunim në grup gjatë xhirimeve

Written by

in

Aktori i njohur francez sërish në telashe me drejtësinë, akuzohet për përdhunim në grup gjatë xhirimeve

Aktori francez Gerard Depardieu është sërish në qendër të një hetimi në Paris, pas një kallëzimi të paraqitur nga një aktore, e cila pretendon se është përdhunuar në grup gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”, në vitin 2018. Në këtë rast, përveç Depardieu, përmenden edhe shkrimtari Michel Houellebecq dhe regjisori Guillaume Nicloux.

Aktorja dhe balerina, e identifikuar nga mediat franceze me emrin Alexandra, ka paraqitur kallëzim në maj të vitit 2025 dhe është bashkuar me procedurën si palë e dëmtuar. Sipas AFP-së, e cila citon burime pranë hetimit, çështja është marrë përsipër nga Policia Kriminale e Parisit.

Mediat franceze raportojnë se Mediapart ishte e para që publikoi informacionet për këtë rast.

Sipas kallëzimit, ngjarja e pretenduar ka ndodhur më 11 dhjetor 2018, në hotelin “Thalazur”, në Cabourg të Francës veriore, gjatë xhirimeve të filmit “Thalasso”, në të cilin Depardieu dhe Houellebecq interpretojnë veten.

Aktorja, e cila në atë kohë ishte 32-vjeçare, pretendon se Depardieu e kishte sulmuar seksualisht me forcë, ndërsa Houellebecq e kishte mbajtur atë nga krahët. Ajo e akuzon gjithashtu shkrimtarin për sulm seksual.

Ndërkaq, regjisori Guillaume Nicloux dyshohet për bashkëpunim në përdhunim në grup dhe sulm seksual, si dhe për filmimin e skenës. Sipas një burimi pranë çështjes, skenari nuk përmbante asnjë skenë me përmbajtje seksuale, ndërsa pamjet e xhiruara ishin shkatërruar me kërkesë të aktores, raporton RTBF.

Në një deklaratë për Mediapart, Nicloux ka thënë se nuk kishte vërejtur ndonjë shtrëngim gjatë xhirimeve, por ka treguar se më vonë i kishte kërkuar falje aktores dhe se ishte prekur nga ajo që kishte ndodhur.

Mediapart raporton gjithashtu se aktores i ishte ofruar më pas një rol tjetër, si dhe tri kontrata me vlerë të përgjithshme prej 45 mijë eurosh bruto.

Deri më tani, asnjëri nga tre personat e përmendur nuk është marrë në pyetje në kuadër të këtij hetimi. Të gjithë gëzojnë prezumimin e pafajësisë. Avokatja e aktores, Carine Durrieu Diebolt, ka refuzuar të komentojë rastin, ndërsa avokatët e Depardieu dhe Houellebecq nuk iu janë përgjigjur kërkesave të AFP-së për koment.

Ky nuk është rasti i vetëm ligjor me të cilin po përballet aktori francez. Më 16 nëntor, Depardieu hoqi dorë nga ankesa kundër dënimit me 18 muaj burgim me kusht për sulm seksual ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets verts”, në vitin 2021. Si rrjedhojë, dënimi është bërë i formës së prerë.

Depardieu po përballet gjithashtu me një tjetër procedurë gjyqësore, pas kallëzimit të aktores Charlotte Arnould, e cila e akuzon për përdhunim. Vendimi i Gjykatës së Apelit në Paris për këtë rast pritet të shpallet më 26 nëntor, sipas La Libre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali