Plenkoviq i përgjigjet Malit të Zi për kufirin: S’japim territor, e kanë zgjidhur me Kosovën, e thjeshtë është edhe me ne

Plenkoviq i përgjigjet Malit të Zi për kufirin: S’japim territor, e kanë zgjidhur me Kosovën, e thjeshtë është edhe me ne

Written by

in

Plenkoviq i përgjigjet Malit të Zi për kufirin: S’japim territor, e kanë zgjidhur me Kosovën, e thjeshtë është edhe me ne

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se vendi i tij nuk kërkon territorin e askujt, por nuk do të heqë dorë nga territori i vet, duke iu përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, lidhur me negociatat për përcaktimin e kufirit mes dy shteteve.

Ibrahimoviq kishte deklaruar të premten se Mali i Zi nuk do të lëshojë asnjë pjesë të territorit të tij, por është i gatshëm të vazhdojë negociatat me Kroacinë, me synimin që çështjet e hapura të zgjidhen përmes marrëveshjes ose institucioneve ndërkombëtare.

Duke komentuar këto deklarata para gazetarëve në Poreç, Plenkoviq tha se nuk e kupton se për cilën pjesë të territorit bëhet fjalë.

“Nuk arrij ta kuptoj plotësisht se për cilën pjesë të territorit bëhet fjalë”, deklaroi Plenkoviqi para gazetarëve në Poreç.

“Kroacia nuk kërkon kurrë territorin e tjetrit, por nuk heq dorë nga i veti. Këtë nuk do ta lejojë as qeveria jonë dhe as askush tjetër në Kroaci”, shtoi ai.

“Pozicioni ynë nuk do të ndryshojë, është i qartë dhe i prerë”, theksoi kryeministri kroat.

Plenkoviq shpjegoi se propozimi i Zagrebit për marrëveshjen mbi kufirin tokësor mbështetet në parimet e Komisionit të Badinterit, sipas të cilave kufijtë administrativë ndërmjet ish-republikave jugosllave u shndërruan në kufij shtetërorë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai përmendi gjithashtu regjimin e përkohshëm kufitar të vendosur në vitin 2002, i cili, sipas tij, e konfirmon kufirin në kepin e Konfinës. Kjo zgjidhje ishte miratuar më shumë se dy dekada më parë nga grupet e përbashkëta të ekspertëve të të dyja vendeve.

Sipas Plenkoviqit, tashmë është koha që ky regjim i përkohshëm të formalizohet përmes një marrëveshjeje përfundimtare.

“Sa i përket qëndrimit tonë, ai është i qartë, i prerë dhe nuk do të ndryshojë”, theksoi Plenkoviqi.

Kryeministri kroat argumentoi se Mali i Zi i ka zgjidhur çështjet e kufirit me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën duke u bazuar në të njëjtat parime, prandaj, sipas tij, arritja e një marrëveshjeje me Kroacinë nuk duhet të jetë e ndërlikuar.

“Çdo gjë tjetër do të ishte jashtëzakonisht befasuese dhe, nëse duam të jemi plotësisht analitikë, nga ana jonë mund të interpretohet se ndoshta dikush ka pretendime ndaj territorit tokësor të Kroacisë”, deklaroi Plenkoviqi, duke shtuar se megjithatë shpreson që kjo të mos jetë kështu.

Përcaktimi i kufirit mbetet një nga çështjet e pazgjidhura mes Kroacisë dhe Malit të Zi. Kjo çështje ka marrë rëndësi të veçantë edhe në procesin e integrimit evropian të Podgoricës, e cila po zhvillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të enjten, Zagrebi zyrtar refuzoi të japë pëlqimin për mbylljen e kapitullit 15, që lidhet me energjetikën. Një nga arsyet e këtij qëndrimi lidhet edhe me dokumentet e kontestuara që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali