
Plot 581 gra janë vrarë në Afrikën e Jugut gjatë periudhës korrik-shtator 2026, sipas statistikave më të fundit të publikuara nga autoritetet policore, duke rikthyer në vëmendje përmasat alarmante të dhunës ndaj grave në këtë shtet.
Shifrat tregojnë se dhuna me bazë gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet më serioze të sigurisë publike në vend. Vetëm në provincën Gauteng, ku ndodhet edhe qyteti i Johanesburgut, janë regjistruar 131 gra të vrara gjatë kësaj periudhe.
Mes viktimave janë edhe 13 gra, trupat e të cilave u gjetën në hapësira publike në Johanesburg dhe zonat përreth, pjesërisht të zhveshur dhe me shenja dhune. Rastet shkaktuan reagim të madh publik dhe shtuan presionin ndaj autoriteteve për zbardhjen e vrasjeve.
Policia e provincës Gauteng ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar tetë persona në lidhje me këto 13 vrasje.
Në mesin e viktimave ishte edhe Elizabeth Moselakgomo, 38-vjeçare, e cila ishte zhdukur gjatë vrapit të saj të përditshëm në Kempton Park. Trupi i saj u gjet më 12 shtator, me shenja të rënda dhune.
Arrestime janë kryer edhe në rastet e Jabulile Ntimba, 33-vjeçare, trupi i së cilës u gjet i mbështjellë me çarçaf në Boksburg, si dhe Ntombifuthi Nxumalo, trupi i së cilës u zbulua në një varrezë në Tembisa.
Ndërkohë, shqetësimet për sigurinë janë shtuar edhe pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në provincën Free State, ku pesë gra dhe një fëmijë i vogël u vranë me armë zjarri. Sipas policisë, tre persona të maskuar sulmuan një familje në Botshabelo, ndërsa bashkëshortja e të zotit të banesës mbeti e plagosur.
Pavarësisht rënies së lehtë të numrit të përgjithshëm të vrasjeve, situata mbetet shqetësuese. Gjatë periudhës korrik-shtator janë regjistruar 5 mijë e 590 vrasje në të gjithë vendin, apo 204 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo nënkupton se mesatarisht rreth 60 persona janë vrarë çdo ditë.
Ndërkaq, nuk dihet nëse numri i grave të vrara është rritur apo ka shënuar rënie, pasi policia kishte ndërprerë publikimin e veçantë të këtyre statistikave për shkak të pasaktësive të konsiderueshme në të dhëna.
Ministri në detyrë i Policisë, Firoz Cachalia, ka kërkuar shtimin e përpjekjeve për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Edhe presidenti Cyril Ramaphosa kishte premtuar më herët angazhim maksimal të institucioneve për zbardhjen e këtyre rasteve, duke e cilësuar dhunën ndaj grave si fatkeqësi kombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali