
Një person është gjetur i vdekur mëngjesin e së shtunës në vendin e tij të punës, në një fermë për kultivimin e peshqve në Istog.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj.
Ai ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 07:00, kur viktima, mashkull i moshës madhore, është gjetur pa vetëdije.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi emergjent, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
“Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar Elezaj.
Burimi: Insajderi