
Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës, në një fermë për kultivimin e peshqve në Istog.
Rastin e ka konfirmuar fillimisht Policia e Kosovës.
Ndërkaq, Klankosova.tv ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Pejë, nga ku kanë bërë të ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, me urdhër të prokurorit.
Sipas zëdhënësit të kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet pas përfundimit të autopsisë.
“Për këtë rast, shkaqet e vdekjes pritet t’i përcaktojë raporti i autopsisë, ku viktima është dërguar me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda për obduksion. Janë duke u ndërmarrë veprime të tjera në koordinim me Policinë e Kosovës për t’u sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kujtojmë se edhe Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka dhënë disa detaje shtesë për klankosova.tv lidhur me këtë rast.
“Sot, më 21.11.2026, rreth orës 07:00, është gjetur një person pa vetëdije në vendin e tij të punës në Istog, në një fermë për kultivimin e peshqve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës, mashkull i moshës madhore. Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit në konsultimit me të cilin është iniciuar rast “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë dërgohet në IML. Hetimet janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”. /Klankosova.tv