Tregjet financiare në alarm, afro 9 trilionë dollarë humbje nga bursat botërore

Tregjet financiare në alarm, afro 9 trilionë dollarë humbje nga bursat botërore

Written by

in

Tregjet financiare në alarm, afro 9 trilionë dollarë humbje nga bursat botërore

Bursat botërore përfshihen nga një valë e fortë shitjesh, duke fshirë pothuajse 9 trilionë dollarë nga vlera e tregut të aksioneve që prej kulmit të regjistruar në gusht. Investitorët po tërhiqen nga tregjet mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë e investimeve gjigante në inteligjencën artificiale dhe pritjeve për rritje të mëtejshme të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara.

Goditjen më të fortë në Azi e ka pësuar tregu tajvanez, ku aksionet humbën rreth 17 për qind të vlerës brenda vetëm pesë ditësh. Kjo është rënia më e madhe javore që nga fillimi i viteve 1990.

Sipas të dhënave të kompanisë financiare LSEG, të cituara nga Reuters, kapitalizimi i bursës së Tajvanit është tkurrur me rreth 1.12 trilionë dollarë krahasuar me rekordin e arritur më 6 tetor.

Presion të fortë shitjesh u regjistrua edhe në tregjet e tjera aziatike. Indeksi japonez Nikkei ra me më shumë se 4 për qind gjatë së premtes, ndërsa indeksi koreano-jugor KOSPI humbi mbi 4 për qind të vlerës së tij.

Efektet e kësaj vale negative u ndjenë edhe në Evropë. Indeksi pan-evropian STOXX 600 regjistroi një rënie prej 1.5 për qind gjatë orëve të paradites.

Pasiguria mbi përfitimet reale të investimeve masive në inteligjencën artificiale, e kombinuar me pritjet për politika monetare më të shtrënguara në SHBA, po shton shqetësimet e investitorëve dhe po ushtron presion mbi tregjet financiare globale.

Burimi: Insajderi