
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me aksionin policor gjatë të cilit janë konfiskuar mbi 15 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, armë zjarri, municion dhe një shumë e konsiderueshme parash, ndërsa katër persona janë ndaluar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë realizuar në disa lokacione, ku janë gjetur dhe sekuestruar 15.443 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 1.7 gramë kokainë dhe katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash, e njohur si “çokollatë”.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona mobilë, si dhe mbi 9 mijë euro para të gatshme.
Prokuroria ka bërë të ditur se personat e ndaluar janë S.M., F.B., N.I., S.B. dhe Gj.S., ndërsa ndaj tyre rëndojnë vepra të ndryshme penale.
“S.M, F.B, N.I. për shkak të veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, S.B dhe N.I për shkak të veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 i KPRK-së, si dhe Gj.S. për shkak të veprës penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka paraqitur në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurën penale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali