Detaje të pazakonta nga jeta e Epstein në Moskë: Përgjonte modele të reja dhe përpiqej ta takonte Putinin

Detaje të pazakonta nga jeta e Epstein në Moskë: Përgjonte modele të reja dhe përpiqej ta takonte Putinin

Written by

in

Rusia ishte një nga vendet kryesore ku pedofili i ndjerë amerikan, Jeffrey Epstein rekrutonte gra të reja dhe vajza. Gjatë dekadës së fundit të jetës së tij, ai u përpoq vazhdimisht të shfrytëzonte lidhjet me Rusinë për të rikthyer reputacionin dhe për të siguruar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Këto detaje dalin nga një hetim i agjencisë Reuters, gazetarët e së cilës kanë intervistuar më shumë se 20 persona të njohur me lidhjet e Epstein me Rusinë.

Nëntë prej tyre e kishin njohur personalisht. Gjithashtu, janë shqyrtuar qindra faqe dokumentesh të Departamentit amerikan të Drejtësisë, regjistra fluturimesh, dokumente gjyqësore dhe email-e.

Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që Epstein të ketë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, të ketë vepruar në emër të qeverisë ruse apo të jetë takuar ndonjëherë me Putinin.

Të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik

Sipas hetimit, interesimi fillestar i Epstein për Rusinë ishte kryesisht i natyrës shfrytëzuese. Gra dhe vajza të mitura dërgoheshin në SHBA përmes agjencive të modës dhe premtimeve për karrierë në këtë industri.

Reuters ka identifikuar të paktën 17 gra nga ish-Bashkimi Sovjetik që ishin përfshirë në rrjetin e shfrytëzimit seksual të Epstein, mes tyre edhe tri nga qindra viktimat që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrjet kishte agjenti francez i modës, Jean-Luc Brunel, i cili pas rënies së Murit të Berlinit udhëtonte nëpër Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik në kërkim të modeleve të reja.

Ish-modelja Thysia Huisman ka treguar se në shtator të vitit 1991, gjatë një feste në apartamentin e Brunel në Paris, një vajzë nga Rusia, e cila dukej se sapo kishte hyrë në adoleshencë, kaloi pjesën më të madhe të mbrëmjes në prehrin e Epstein.

Huisman e denoncoi Brunel në vitin 2019, duke pretenduar se ai e kishte droguar dhe përdhunuar një javë pas asaj feste. Brunel i mohoi akuzat dhe vdiq në një burg të Parisit në vitin 2022, përpara se prokurorët të vendosnin nëse do ta akuzonin zyrtarisht. Vdekja e tij, sikurse ajo e Epstein në vitin 2019, u cilësua vetëvrasje.

Në vitin 2003, Brunel hapi në Miami një agjenci modelingu, e cila më vonë u riemërua MC2. Sipas deklaratave të Brunel para hetuesve francezë, Epstein kishte garantuar një kredi prej 300 mijë dollarësh për këtë agjenci.

Dy burime të Reuters kanë treguar se agjencia rekrutonte intensivisht në Rusi dhe u siguronte modeleve ruse dokumente për të udhëtuar drejt SHBA-së, ndërsa Epstein u ofronte atyre banesa.

Njëra prej tyre, Svetlana Pozhidaeva, u njoh me Epstein në Paris në vitin 2008, kur ishte rreth 23 vjeçe. Ajo shkoi në SHBA pasi ai i premtoi se do ta ndihmonte të siguronte një kontratë me Victoria’s Secret.

Më vonë, ajo u bë asistente personale e Epstein dhe i tregoi Reuters se detyra e saj kryesore ishte t’i bënte masazhe, gjatë të cilave ai e abuzonte seksualisht në mënyrë të përsëritur.

Viza e saj u sponsorizua nga agjencia MC2, ndërsa banesën ia siguroi Epstein. Ajo nuk kishte llogari bankare dhe shpenzimet që ai mbulonte i regjistronte si borxhe në emër të saj. Pozhidaeva kishte frikë se Epstein, përmes lidhjeve të tij politike, përfshirë ato në Rusi, mund t’i bënte keq asaj ose familjes së saj nëse do të largohej.

Në Rusi shkoi për shkak të ngjyrës së mureve

Sipas informacioneve të Reuters, Epstein e vizitoi Rusinë vetëm dy herë.

Në prill të vitit 1998, ai vizitoi Sarovin, një qytet i mbyllur ku Bashkimi Sovjetik kishte zhvilluar një pjesë të madhe të programit të tij bërthamor. Udhëtimi ishte pjesë e një vizite të organizuar nga Nathan Myhrvold, asokohe drejtues në Microsoft.

Vizita e dytë ndodhi në nëntor të vitit 2002, kur ai udhëtoi së bashku me Ghislaine Maxwell dhe Jean-Luc Brunel.

Sipas dy burimeve të Reuters, arsyeja e këtij udhëtimi ishte mjaft e pazakontë. Dizajneri i enterierit, Alberto Pinto, i kishte sugjeruar Epstein që një pjesë të shtëpisë së tij në Manhattan ta lyente me ngjyrën e dhomës së famshme vjollcë në Pallatin Aleksandër, pranë Shën Petersburgut. Për këtë arsye, Epstein kishte dashur ta shihte nga afër.

Në Moskë, ata kaluan kohë me mikun e Maxwellit, biznesmenin çeçen Umar Dzhabrailov. Pas kësaj, sipas burimeve, Epstein i kërkoi shoferit ta voziste përgjatë rrugës Tverskaya, në mënyrë që të shihte prostitutat.

Dzhabrailov u gjet i vdekur në banesën e tij në Moskë në mars të këtij viti, me një plagë nga arma e zjarrit në kokë, disa javë pasi emri i tij ishte shfaqur në dokumentet e Epstein. Mediat shtetërore ruse raportuan se policia dyshonte për vetëvrasje, pretendim që familja e tij e kundërshton.

Putini mbeti i paarritshëm për Epsteinin

Pasi në vitin 2008 pranoi fajësinë në Florida për akuza që lidheshin me prostitucionin, përfshirë përfshirjen e një të miture, dhe vuajti 13 muaj burg, Epstein filloi ta shihte Rusinë gjithnjë e më shumë si një mundësi për t’u rikthyer në rrethet elitare.

Ai mbante korrespondencë me oligarkun rus Vladislav Doronin, ndërsa përmes ish-ministrit britanik Peter Mandelson kishte kërkuar një takim me miliarderin Oleg Deripaska.

Në vitin 2014, ai u njoh edhe me Sergei Belyakov, asokohe zëvendësministër i Ekonomisë së Rusisë.

Për një udhëtim të planifikuar në Rusi në vitin 2011, truproja i tij, Igor Zinoviev, kishte pretenduar, sipas një emaili të një anëtari të stafit të Epstein, se ai kishte edhe një takim të planifikuar me Putinin.

Megjithatë, udhëtimi u anulua. Tre persona që e njihnin Epstein besojnë se një takim i tillë nuk ishte organizuar kurrë. Një person që i njihte si Putinin, ashtu edhe Epsteinin, është i bindur se ata të dy nuk janë takuar asnjëherë.

Përpjekjet e Epstein për t’u afruar me Rusinë nuk i sollën ndonjë marrëveshje të rëndësishme biznesi apo ndikim real politik. Megjithatë, pas tij mbetën shumë gra ruse që edhe sot vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Një detaj i pazakontë është se, në fotografitë e shtëpisë së Epstein në Manhattan, muret e shkallëve kryesore kanë një ngjyrë të ngjashme me atë të dhomës vjollcë në pallatin pranë Shën Petersburgut. /Telegrafi/