Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, shkarkohen katër inspektorë të AKU-së në Shqipëri

Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, shkarkohen katër inspektorë të AKU-së në Shqipëri

Written by

in

Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, shkarkohen katër inspektorë të AKU-së në Shqipëri

Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shqipëri janë shkarkuar nga detyra, pas shkeljeve të konstatuara gjatë inspektimit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri me origjinë nga Brazili, të importuar nga kompania “KING-MIT”.

Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, zhvillimit të seancave dëgjimore dhe vlerësimit të përgjegjësive individuale të inspektorëve të përfshirë, shkruan Euronews.al.

Sipas njoftimit zyrtar, masa disiplinore “Largim nga detyra” është shqiptuar ndaj L.B., inspektor kontrolli në pikën kufitare pranë AKU-së në Durrës, për shkak të mosverifikimit të plotë të dokumentacionit të ngarkesës, stabilimentit të autorizuar për eksport dhe vërtetësisë së certifikatës.

Për të njëjtat shkelje janë shkarkuar edhe tre inspektorë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, me inicialet E.T., K.K. dhe M.G.

Ata janë penalizuar për mosverifikim të plotë të dokumentacionit, mosidentifikim të të gjitha shkeljeve të konstatuara dhe vendosje të një mase administrative joproporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljeve.

Inspektorati i Përgjithshëm ka bërë të ditur se për këtë rast janë zhvilluar dy seanca dëgjimore, para se të merreshin vendimet për largimin e inspektorëve nga detyra.

Ndërkohë, për shkak të kompleksitetit të rastit, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar edhe verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së lidhur me importimin dhe inspektimin e ngarkesës.

Verifikimi do të përfshijë dokumentacionin, veprimet e ndërmarra dhe përgjegjësitë e strukturave të përfshira.

Në njoftim, Inspektorati i Përgjithshëm ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë pakujdesi, neglizhencë apo shkelje të ligjit dhe procedurave nga inspektorët e AKU-së, duke theksuar se siguria ushqimore mbetet një nga prioritetet kryesore të institucionit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali