Goditje e rëndë për kartelet e drogës: Arrestohet në Meksikë një nga bosët më të kërkuar nga FBI-ja

Goditje e rëndë për kartelet e drogës: Arrestohet në Meksikë një nga bosët më të kërkuar nga FBI-ja

Written by

in

Goditje e rëndë për kartelet e drogës: Arrestohet në Meksikë një nga bosët më të kërkuar nga FBI-ja

Një aksion spektakolar dhe i përgjakshëm i forcave speciale meksikane ka rezultuar me kapjen e një prej figurave më të fuqishme të krimit të organizuar. Bosi i drogës, Fausto Isidro “Chapo Isidro” Meza Flores, i cili figuronte në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja, është vënë në pranga pas një shkëmbimi të ashpër zjarri, shkruan Gazeta Sinjali.

Operacioni u zhvillua të premten në qytetin Guasave, në shtetin e Sinaloas, ku Meza Flores u arrestua së bashku me një nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë. Lajmin e ka konfirmuar Sekretariati i Mbrojtjes i Meksikës, ndërkohë që raportimet e BBC-së bëjnë me dije se Uashingtoni ka kërkuar menjëherë ekstradimin e tij.

Sipas autoriteteve meksikane, ndërhyrja u organizua pas sinjalizimeve të inteligjencës amerikane mbi vendndodhjen e tij të saktë. Forcat speciale rrethuan në mënyrë të befasishme objektin për të bllokuar çdo rrugë arratisjeje apo mbërritjen e përforcimeve të kartelit.

Megjithatë, aksioni nuk kaloi pa rezistencë. Efektivët u përballën me breshëri armësh dhe shpërthime të fuqishme, por pas një përplasjeje intensive, arritën të thyejnë mbrojtjen dhe të neutralizojnë Meza Floresin e krahun e tij të djathtë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale pasqyrojnë dramatizmin e operacionit. Në disa video shihen helikopterë ushtarakë duke qëlluar nga ajri drejt zonës së Guasaves, ndërsa pamje të tjera tregojnë panikun e qytetarëve në një stadium bejsbolli, të cilët vrapojnë të tmerruar teksa dëgjohen të shtënat e armëve në afërsi.

Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si drejtues i organizatës Meza Flores – ose siç njihet ndryshe, Karteli i Guasaves – dyshohet se ka qenë aktiv në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve që prej viteve 1990. Për dekada me radhë ai kishte arritur t’u shpëtonte prangave duke mbajtur një profil të ulët.

Autoritetet në ShBA-së e akuzojnë atë për trafikimin e sasive kolosale të fentanilit, kokainës, heroinës dhe lëndëve të tjera narkotike drejt territorit amerikan.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali