Chelsea ka pësuar një humbje të rëndë në shtëpi nga Leeds United, duke u mposhtur me rezultat 4-1 në kuadër të javës së 11-të të Ligës Premier.
Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso nuk arriti të përballonte rikthimin e fuqishëm të mysafirëve, të cilët pas disavantazhit fillestar realizuan tri gola për të marrë një fitore të rëndësishme.
Chelsea kaloi në epërsi në minutën e 25-të, kur Emmanuel Emegha përfitoi nga një pasim që çau mbrojtjen kundërshtare dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Megjithatë, Leeds reagoi shpejt dhe në minutën e 28-të arriti ta barazonte rezultatin. Dominic Calvert-Lewin asistoi për Noah Okaforin, i cili nga afërsia realizoi për 1-1.
Mysafirët vazhduan të rrezikonin dhe në minutën e 37-të Calvert-Lewin pati një mundësi të mirë, por goditja e tij përfundoi jashtë portës. Pak para përfundimit të pjesës së parë, Tarik Muharemovic shënoi, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër moment vendimtar për Leedsin. Pas një ndërhyrjeje në zonë, gjyqtari akordoi penallti në minutën e 50-të, vendim që u konfirmua edhe pas rishikimit me VAR.
Përgjegjësinë e mori Calvert-Lewin, i cili në minutën e 53-të u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta përmbysur rezultatin në 2-1.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Leeds realizoi edhe golin e tretë. Noah Okafor pranoi një pasim dhe me një goditje të fuqishme dërgoi topin në pjesën e sipërme të portës, duke e çuar rezultatin në 3-1.
Për rezultatin përfundimtar të ndeshjes u përkujdes amerikani Brenden Aaronson i cili në minutën e 91-të realizoi për epilogun e ndeshjes 4-1.
Kjo humbje është një goditje për Chelsean, që pas javës së 11-të zbret në pozitën e tetë në tabelën e Ligës Premier, me vetëm 16 pikë./Telegrafi/