
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka dërguar mesazhe të drejtpërdrejta politike, duke deklaruar se Maqedonia e Veriut mund të funksionojë dhe të mbijetojë vetëm përmes bashkëjetesës së qëndrueshme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Ahmeti ka theksuar se ndarjet dhe përçarjet i bëjnë palët të pafuqishme, duke paralajmëruar se një qasje e tillë e dobëson shtetin dhe e bën atë të parëndësishëm në rajon.
Gjatë fjalës së tij, kreu i BDI-së ka thumbuar ashpër edhe ata që, sipas tij, po përpiqen të përfaqësojnë shqiptarët në institucionet shtetërore pa legjitimitet, duke përdorur një metaforë të fortë për drejtimin e shtetit.
“Këtyre tani që përpiqen të na përfaqësojnë pa legjitimitet në institucionet shtetërore. Institucioni dhe shteti është porsi pushka, po nuk dite ta përdorësh do të hysh therrave e do të qash si grua. Këta e kishin parë se si ne po ngrisim shkallë-shkallë lavdinë e shqiptarëve në një demonstrim të shtetformësisë, se ky shtet mund të jetojë e mbijetojë me bashkëjetesë të qëndrueshme mes dy kombeve më të mëdha – maqedonasve dhe shqiptarëve. Të veçuar e të ndarë jemi të pafuqishëm, e dobësojmë shtetin dhe e bëjmë të parëndësishëm në rajon”, ka deklaruar Ahmeti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali