Lara Colturi ka shkruar historinë për Shqipërinë, duke fituar medaljen e artë në garën e sllallomit në Kupën e Botës në skijim alpin.
Skitarja 20-vjeçare, e cila përfaqëson Shqipërinë, ka triumfuar në garën e zhvilluar të shtunën në Gurgl të Austrisë, duke i dhuruar vendit suksesin e parë të këtij lloji në Kupën e Botës.
Colturi ishte më e shpejta pas dy lëshimeve, duke e përfunduar garën me kohën 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat.
Në pozitën e dytë u rendit skitarja suedeze Sara Hector, e cila ishte 27 të qindtat më e ngadaltë se përfaqësuesja e Shqipërisë. Podiumi u plotësua nga një tjetër suedeze, Anna Swenn Larsson, me 30 të qindtat më shumë se Colturi.
Ky triumf vjen pas dy paraqitjeve të shkëlqyera në garat e para të sezonit. Në sllallomin e madh në Solden të Austrisë dhe në sllallomin në Levi të Finlandës, Colturi kishte përfunduar në vendin e dytë.
Me këtë fitore, 20-vjeçarja jo vetëm që konfirmon formën e jashtëzakonshme, por merr edhe kryesimin e vetëm në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës.
Colturi ka grumbulluar 260 pikë dhe prin bindshëm ndaj ndjekëseve. Në vendin e dytë renditet gjermania Emma Aicher me 192 pikë, ndërsa e treta është Sara Hector me 150 pikë./Telegrafi/