
Bilall Sherifi ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, duke shprehur revoltën për gjashtë vitet që ish-kryetari i Kuvendit i kaloi larg familjes së tij.
Përmes një postimi, Sherifi ka thënë se atë që e revolton më së shumti është fakti se shoqëria është mësuar ta shohë Krasniqin vetëm në fotografi, ndërsa ka kujtuar mungesën e tij në familje gjatë këtyre gjashtë viteve.
Ai ka shkruar se për familjen e Krasniqit, çdo mëngjes, drekë dhe darkë ka pasur një vend të zbrazët në sofër.
“E ty të kanë mbajtë padrejtësisht gjashtë vite larg familjes tande. Për njerëzit e tu, çdo mëngjes, çdo drekë e çdo darkë e këtyne gjashtë viteve ka pasë një vend të zbrazët në sofër. Vendin tand”, ka shkruar Sherifi.
Ai ka ngritur edhe çështjen e kohës së humbur nga Krasniqi dhe familja e tij, duke pyetur se kush do t’ua kthejë gjashtë vitet që është dashur t’i kalonin së bashku.
Sherifi ka bërë thirrje që pritja dhe durimi të zëvendësohen me veprim, duke vlerësuar se ka ardhur koha që kjo dramë të marrë fund.
“Urgjentisht duhet ta zëvendësojmë togfjalëshin ‘DURIM, se bahet mirë’ me togfjalëshin ‘VEPRIM, që ta bajmë mirë’”, ka shkruar ai.
“Përndryshe, ti, me atë zemër të madhe që e ke, mundesh edhe me na e falë, por historia s’ka me na e falë kurrë”, ka shkruar Sherifi.
Burimi: Insajderi