​Digjet për herë të dytë deponia në Sferkë të Pejës, Hykmete Bajrami: Ku është shteti?

​Digjet për herë të dytë deponia në Sferkë të Pejës, Hykmete Bajrami: Ku është shteti?

Written by

in

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka adresuar sot kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mos veprim ndaj deponisë regjionale të mbeturinave, e cila tash e sa ditë po digjet në Sferkë të Pejës.

Në një postim në Facebook, deputetja Bajrami ka thënë se banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi.

“Njerëzit po detyrohen t’i mbajnë dyert e dritaret mbyllur. Janë tepër të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve të tyre”.

Deputetja Bajrami tha se Komuna e Pejës nuk mund ta përballojë e vetme gjendjen e krijuar dhe se Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta angazhojë FSK-në, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.

“Ku është Qeveria, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ku është Inspektorati Mjedisor? Pse nuk po mobilizohen të gjitha kapacitetet e shtetit? Inspektorati Mjedisor duhet të dalë menjëherë në terren, ta konstatojë shkallën e ndotjes dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasi që aty nuk plotësohen asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit”.