Owen: Liverpool duhet të qëndrojë i bashkuar

Owen: Liverpool duhet të qëndrojë i bashkuar

Written by

in

Humbja e fundit ndaj Manchester City e ka thelluar krizën e rezultateve te Liverpool, i cili pas gjashtë ndeshjeve renditet në vendin e nëntë në Premier League, me vetëm nëntë pikë. Skuadra është nëntë pikë prapa liderit Manchester City, ndërsa synimi për të luftuar për titull është vështirësuar ndjeshëm.

Situata ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si janë shfrytëzuar investimet e mëdha në përforcime. Gjatë dy afateve të fundit verore, Liverpool ka shpenzuar rreth 460 milionë funte më shumë sesa ka arkëtuar nga shitjet e lojtarëve.

Në mesin e përforcimeve janë Florian Wirtz, Alexander Isak, Hugo Ekitike, Milos Kerkez, Bradley Barcola, Victor Munoz, Jeremy Jacquet dhe Jeremie Frimpong. Megjithatë, skuadra ende nuk ka arritur t’i shndërrojë këto investime në rezultate bindëse.

Owen beson se rikthimi i lojtarëve kryesorë pas lëndimeve mund ta ndihmojë Liverpool ta përmirësojë lojën dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.

“Është shumë e rëndësishme që lojtarët kryesorë të rikthehen sa më shpejt në fushë. Jam i bindur se më pas skuadra do të funksionojë më mirë”, ka thënë Owen.

Ish-sulmuesi anglez ka pranuar se shpenzimet e mëdha deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, por ka theksuar se kjo nuk do të thotë se lojtarët e transferuar nuk kanë cilësi.

“Është problem për Liverpoolin që ka shpenzuar kaq shumë para për lojtarë, ndërsa deri tani investimi nuk po duket aspak i leverdishëm. Nuk mendoj se këta lojtarë janë të dobët. Përkundrazi, të gjithë janë futbollistë të nivelit të lartë. Kur u transferuan, kisha shumë shpresë, pritshmëri dhe entuziazëm, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç pritej”, ka deklaruar ai.

Sipas Owenit, Liverpooli duhet ta kalojë këtë periudhë si grup, ndërsa rikthimi i futbollistëve të rëndësishëm dhe përmirësimi i lojës pritet të jenë faktorë kyç për vazhdimin e sezonit.

Burimi: RTKLive