Rriten lindjet dhe shkurorëzimet në shtator, bien martesat dhe vdekjet në Kosovë

Rriten lindjet dhe shkurorëzimet në shtator, bien martesat dhe vdekjet në Kosovë

Written by

in

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin shtator 2026, të cilat tregojnë ndryshime në krahasim me muajin paraprak.

Sipas ASK-së, gjatë shtatorit janë regjistruar 2 mijë e 556 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës, që paraqet rritje prej 2,2 për qind krahasuar me gushtin. Prej tyre, 1 mijë e 378 janë meshkuj dhe 1 mijë e 178 femra.

Ndërkohë, gjatë këtij muaji janë regjistruar 861 raste të vdekjeve, prej të cilave 462 meshkuj dhe 399 femra. Në krahasim me muajin gusht, numri i vdekjeve ka shënuar rënie prej 11 për qind.

Rënie e theksuar është regjistruar edhe te kurorëzimet. Sipas të dhënave të ASK-së, në shtator janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 215 martesa, brenda dhe jashtë Kosovës. Krahasuar me muajin paraprak, numri i tyre është zvogëluar për 37,5 për qind.

Në anën tjetër, shkurorëzimet kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Gjatë shtatorit në Kosovë janë regjistruar 151 raste të shkurorëzimeve, apo 55,7 për qind më shumë sesa në gusht.

Të dhënat e publikuara nga ASK-ja paraqesin lëvizjet mujore në treguesit kryesorë demografikë në vend, ku shtatori karakterizohet me rritje të lindjeve dhe shkurorëzimeve, ndërsa rënie të vdekjeve dhe martesave.

Burimi: RTKLive